“Delta”, turistët e huaj i anuluan rezervimet në Ohër dhe Strugë
Me përhapjen e llojit Delta nëpër Evropë, turistët filluan t’i anulojnë rezervimet në Ohër dhe Strugë. Njëri nga dy operatorët turistik nga Holanda i anuloi rezervimet për këtë verë, ndërsa operatori i dytë TUI, sipas paralajmërimeve, do të fillojë të operojë nga 19 korriku deri më 23 gusht. Pritet të vijnë rreth 2500 turistë nga Holanda, por kjo nuk është as afër nga 30 mijë turistët që kalonin pushimet në Ohër para pandemisë. Edhe një pjesë e turistëve nga Polonia i kanë anuluar rezervimet pas vendimit për karantinë të domosdoshme prej 10 ditëve pas kthimit të tyre në shtëpi.
“Morëm informatë nga partneri ynë holandez se për fat të keq rezervimet për këtë vit do të anulohen. Sigurisht ka ndikim edhe lloji Delta, jo vetëm në Maqedoni por gjithandej në Evropë. Edhe rezervimet që ishin nga mysafirë nga Polonia, me siguri do të anulohen – deklaroi Ana Jançeva, menaxhere hoteli.
Problem shtesë është se hotelet më të mëdha në bregun e liqenit në mes të sezonit janë plotësuar vetëm 30%, për dallim nga viti 2019, kur turistët kërkonin një vend më shumë.
Gjatë fundjavave mundet të arrijë deri në 30% në hotelet e mëdha. Hotelet e vogla ndoshta plotësohen deri 80%. Por kjo është vetëm për fundjavë. Nga e hëna, të martën, të mërkurën, edhe në plazhe shihet se janë të zbrazura. Nuk ishim të përgatitur për një gjë të tillë, se sërish do të anulohen rezervimet e turistëve të huaj – tha Kërste Bllazheski, kryetar i HOTAM.
Hotelierët thonë se sipas asaj se si qëndron puna deri tani, ky sezon do jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar edhe përkundër pritjeve pozitive.
Afrohemi drejtë një sezoni të njëjtë, ndoshta edhe më të keq se ai i vitit të kaluar. Mysafirë individual ka, por ky numër është pak dhe nuk mundet t’i plotësojë kapacitetet tona. Këtë sezon eventualisht dasmat mund të plotësojnë diçka pjesërisht humbjet, gjithçka tjetër është në pikëpyetje – u shpreh Ana Jançeva, menaxhere hoteli.
Hotelierët vlerësojnë se përveç virusit, shkak për këtë gjendje është edhe promovimi jo i mjaftueshëm, sidomos në Holandë por edhe mbështetja jo në kohë diplomatike dhe institucionale e operatorëve turistik.