Deklaratë e miratuar në Kongresin ASH-së: Origjina jonë buron nga Rilindja Kombëtare dhe filozofia politike e Arbër Xhaferit (Video)
Kongresi i dytë i Aleancës për Shqiptarët miratoi këtë deklaratë të cilën ua sjellim të plotë në vijim:
Deklaratë :
1. Aleanca për Shqiptarët është krenare me origjinën e saj politike që buron nga përpjeket e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të vazhduara nga Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare, dhe që mbështetet në filozofinë politike të Arbën Xhaferit.
2. Aleanca për Shqiptarët si forcë e qendrës së djathtë me orientim properëndimor dhe synim për t ’iu bashkuar familjes së partive popullore evropiane, vazhdon me përkushtim këtë rrugëtim politik për realizimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si shtet ku të gjithë qytetarët duhet të ndjehen dhe trajtohen si të barabartë, një shtet të bazuar në vlerat evropiane, që respekton të drejtat e njeriut, lirinë, demokracinë dhe barazinë.
3. Për të përmbushur këtë nevojë të domosdoshme, Kongresi i Dytë i Aleancës për Shqiptarët, ka për qëllim të nxjerrë lidershipin e partisë për katër vitet e ardhshme, të prodhojë qasjen e re konceptuale në aspektin politik dhe të përcaktojë ritmin e angazhimit për t ’u bërë forca e parë politike shqiptare në vend.
4. Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet për t ’iu ofruar qytetarëve një projekt të ri politik i cili ka për synim vendosjen e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, si dhe zbatimin e politikave që kultivojnë dhe investojnë në kapitalin njerëzor, si parakushte themelore për të zhvilluar shoqëri të shëndoshë, materializuar perspektivën evropiane të vendit dhe ndërtuar ekonomi konkurruese, që na mundëson të mbajmë rininë tonë në vendlindje.
5. Aleanca për Shqiptarët do të avancojë rendin kushtetues dhe juridik për të siguruar përputhjen e tij me realitetin politik, shoqëror dhe ekonomik, përfshirë reformën zgjedhore, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, adresimin e padrejtësive juridike dhe gjyqësore, zyrtarizimin e plotë dhe të tërësishëm të gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj, si dhe avancimin e kulturës shqiptare.
6. Duke marrë parasysh se çkapja e institucioneve dhe vendosja e shtetit të së drejtës mbeten çështjet më urgjente për vendin, Aleanca për Shqiptarët do të luftojë shtetin e kapur, duke u fokusuar në sigurimin e një përkrahje urgjente evropiane në fushën e shtetit të së drejtës, pavarësimin e gjyqësorit, çrrënjosjem e korrupsionit dhe krijimin e një administratë publike të depolitizuar, meritokratike dhe efikase.
7. Meqë po përballemi me një emergjencë sociale të paprecedentë, vendi po zbrazet dhe pabarazia e lartë po e shkatërron besimin në institucionet e shtetit. Aleanca për Shqiptarët do të zbatojë përgjigje politike të fortë dhe të menjëhershme, duke rritur investimet në kapitalin tonë njerëzor: arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, barazi gjinore dhe fuqizim të të rinjve, si aseti ynë kryesor për zhvillim të qendrueshëm.
8. Aleanca për Shqiptarët mëton ekonomi dinamike për arritjen e zhvillimit të barabartë, përmes jetësimit të vlerës evropiane për subsidiaritet. Aleanca për Shqiptarët do të përmirësojë performancën e përgjithshme ekonomike dhe do të eliminojmë pabarazitë, duke përkrahur ndërmarrësinë, ndërtuar autonomi fiskale të qëndrueshme, parandaluar diskriminimin rajonal dhe duke krijuar kushte për zhvillim të barabartë rajonal.
9. Aleanca për Shqiptarët do të punojë për të avancuar modelin e shtetit zhvillimor, të gjelbër dhe të digjitalizuar, që do ta adresojë emergjencën mjedisore, do të zhvillojë burime alternative dhe të pastra të energjisë dhe do të modernizojë infrastrukturën publike.
10. Aleanca për Shqiptarët do të promovojë një politikë pro-perëndimore në proceset globale, të harmonizuar me aleatët tonë, me synim të forcimit të pozitës së shtetit në NATO, BE dhe në rajon.
11. Aleanca për Shqiptarët dënon agresionin e paprecedentë të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, si sulm i paprovokuar, i paarsyetueshëm dhe që shkel të drejtën ndërkombëtare. Aleanca për Shqiptarët radhitet pa rezervë krahas aleatëve perendimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj, dhe zotohet se do të mbështes ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme politike dhe kushtetuese për zbatimin e sanksioneve politike dhe ekonomike ndaj agresorit rus, në koordinim të vazhdueshëm me aleatët.
12. Aleanca për Shqiptarët është mirënjohëse dhe shprehë konsideratë të lartë për angazhimin dhe punën e të gjitha organeve, strukturave dhe mbështetësve të saj. Aleanca për Shqiptarët është më e bashkuar se kurrë, e fortë, unike, dhe e aftë që së bashku me qytetarët, ta materializojë vizionin e saj politik.
13. Aleanca për Shqiptarët do të jetë forcë unifikuese dhe forcuese e gjithë atyre zërave që nuk pajtohen me monizmin politik dhe degradimin e të gjitha vlerave shoqërore, veçanërisht në segmentin shqiptar. E bindur se qytetarët do të zgjedhin të ardhmen e tyre përkrah Aleancës për Shqiptarët, bashkë do të krijojmë prosperitet dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Prezentuar nga: Arben Fetai, udhëheqës i Departamentit për Çështje Evropiane.
Video: https://fb.watch/c1y8yns-0B/
…..
Deklaratën dhe materialet e tjera nga Kongresi i Dytë mund ti gjeni në faqen zyrtare www.aleanca.eu