Maqedoni

Deklarata e fortë e deputetit Saliu është dëshpëruese për BDI-në: As i vdekur s’e tërheq nënshkrimin…

Partia që pritet ta drejtojë qeverinë e re, VMRO-DPMNE edhe sot ka konfirmuar qëndrueshmërinë e listës me 61 nënshkrime të deputetëve që reflektojnë shumicën e re parlamentare. VMRO-DPMNE e drejtuar nga Hristian Mickoski thekson se bashkimi i partive për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga koalicioni LSDM-BDI është i palëkundur. Theksohet se opozita e deritashme do të formojë shumicë të re që të pasqyrojë kërkesat e qytetarëve dhe që është serioze për zbatimin e reformave.

Ndërkohë ka patur shumë spekulime se disa deputetë nga radhët e AAA-ASH nuk do ta votojnë rrëzimin e qeverisë LSDM-BDI, e sidomos për ata që vijnë nga zona e parë zgjedhore. Për t’i demantuar këto zëra Abdulla Saliu nga ky koalicion ka thënë për Almakos se aspak nuk janë të vërteta shpifjet mediatke se ai është kundër vendimit partiak të koalicionit.

“Unë Abdulla Saliu që kur jam kyçur në parti politike e aq më shumë kur u bëra deputet kam thënë se gjithmonë do të jem në krahë të popullit dhe zëri i tyre. Ndaj, e ndjej të arsyeshme që të sqarojë opinionin dhe aktivisitët e koalicionit opozitar që – as i vdekur nuk e tërheq nënshkrimin për rrëzimin e kësaj qeverie kriminale e tenderokrate BDI-LSDM!” – theksoi deputeti Saliu për Almakos.