Maqedoni

Debati Presidencial/ Mushkolaj-Iseni: Ishte përballje pa dinamikë mirëpo u tregua kulturë dhe maturi

Në emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin në Tv Klan Macedonia, analistët diskutuan mbi debatin e parë presidencial ndërmjet dy kandidatëve shqiptar në këtë garë, Bujar Osmanin nga BDI dhe Arben Taravarin nga Opozita Shqiptare.

Gazetari Xhenur Iseni tha se ai debat vërtetoi se opozita shqiptare ka program presidencial, mirëpo sipas tij është mesazh i mirë që pat nivel të lartë debate mes Osmanit dhe Taravarit.

“Ka pasur debat të matur, më pëlqeu që i pamë dy kandidatë për president me kulturë dhe maturi. Me atë debat u pa që opozita shqiptare ka program dhe ka platformë sepse u sqaruan 4 shtyllat, pra u thye miti se opozita nuk ka program presidencial. Për Bujarin e kam ndoshta edhe diçka që nuk më pëlqeu, kur tha se në telefonin tim ka numrat e personaliteteve më të rëndësishëm të shteteve kryesore në botë. Ata miq nuk vendosim për çështje shtetërore me telefona, por me strategji politike ashtu siç duhet”, tha Iseni.

Analisti Imer Mushkolaj tha se ka pritur debat më dinamik presidencial duke diskutuar çështje konkrete politike.

“Për mendimin tim asnjëri nuk ka qenë ashtu siç duhet. Ka qenë debat pa dinamike dhe shumë i kufizuar. Prite me u diskutu çështje kryesore të të dy platformave politike që ofrojnë pushtet dhe opozitë mirëpo unë nuk pash shumëçka nga kjo që e prisja. Taravari e quajti këtë udhëheqje 20 vjeçare si veç të zezë, mirëpo nuk mundemi me u pajtu me këtë, sepse për 20 vite shqitarët kanë pasur edhe ngecje mirëpo edhe arritje. Osmani është e vërtetë që ka edhe njohuri edhe eksperiencë më shumë në fushën ndërkombëtare, ndaj përmendi edhe vitin 2030 si vit për integrimin e plotë të vendit në BE”, tha Mushkolaj

Sipas analistit, Gazmend Ajdini, kandidati i BDI-së është treguar më dominues dhe është më kompetent për postin e presidentit.

“Me një raud nuk mund të vendosim. Realisht, z.Taravari u pa që nuk ka kompetenca më e bind popullin për shumë çështje madhore, nisur nga ato që tha ai për shkuarjen në Bruksel… është panjohuri e proceseve nga ana e tij. Nga aspekti i kompetencave dhe eksperiencës ishte superior Bujar Osmani. Opozita po e përdor fushatën presidenciale për ati parlamentare”, tha Ajdini. /TvKlan.mk