Maqedoni

Dashtevski: Nesër pres ditë të qetë dhe demokratike

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski pret që nesër të ketë ditë të qetë dhe demokratike për votim, pa probleme teknike me pajisjet dhe numërim më të shpejtë.

“Duke marrë parasysh problemet që u paraqitën dhe ndërhyrjet që kishim, ne arritëm përvojë të madhe dhe tani do të jetë shumë më mirë. Kemi Plan aksional se si do të zhvillohet votimi aty ku do të paraqiten radhët. Unë nuk pres të ketë turmë për shkak se në rreth të parë kishim 4.5 milionë fletëvotime, ndërsa tani vetëm 1.6 milionë. Gjithkund ka nga dy kandidatë, ndërsa në Bashkinë e Shkupit ka dy fleta, kurse në komunat tjera nga një fletëvotim”, tha Dashtevski.

Ai tha se Komisionet Komunale janë njoftuar nga KSHZ se si të veprojnë kur paraqiten radhët, përkatësisht anëtari i Këshiilit Zgjedhor duhet të mbajë radhët dhe të lëshojë njerëzit një nga një.

Dashtevski shtoi se edhe numërimi do të jetë më i shpejtë dhe se do të ketë 300 vëzhgues më shumë në krahasim me rrethin e parë.

Ndryshe, zgjedhjet komunale mbahen në 44 komuna, ndërsa të tjerat kanë kryetarin që në rreth të parë.