DASH për REL-in: Radoiçiqi është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës
“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.
DASH tha se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.
Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Washington dhe Milan Radoiçiqiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane dhe që po kërkohet nga Interpoli.
Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori. Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriq ishte ambasador i Serbisë në SHBA.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.