Sport

Danimarka një gjysmëfinale / Çekia “e përgjakur” largohet

Danimarka, që u bë skuadra e parë që kalon fazën e grupeve me vetëm tre pikë, është gjysmëfinalistja e tretë e Euro2020 dhe pret ndeshjen mes Ukrainës dhe Anglisë për të mësuar kundërshtaren e radhës.

Danezët, të goditur që në ndeshjen hapëse nga incidenti i kapitenit të tyre, Kristian Eriksen, bënë historinë dhe për herë të parë shkojnë në një gjysmëfinale europiani, që prej vitit 1992, kur hynë pas përjashtimit të ish-Jugosllavisë për luftën në Kroaci dhe Bosnje dhe fituan atë trofe.

Dy gola të shënuar në ekstremet e pjesës së parë i dhanë fitoren 2-1 ndaj Çekisë. Në minutën e 5-të ishte Thomas Delaney që gjeti golin për danezët. Një kros i bukur nga këndorja e Jens Stryger Larsen gjen brenda zonës Thomas Delaney dhe ky i fundit godet saktë me kokë në një distancë pranë pikës së penalltive. Topi përfundon në cepin e majtë të portës së çekëve dhe rezultati 0-1 për danezët.

Goli i dytë u shënua në minutën e 42-të të pjesës së parë nga Dolberg, “zëvendësuesi” që me 3 golat e tij në këtë europian është treguar vendimtar për skuadrën.

Çekia ka rihapur ndeshjen me Danimarkën me një gol të Patrik Schik, që ngushtoi rezultatin në 1-2. Sulmuesi çek shfrytëzoi më së miri një kros të Coufal në minutën e 49-të të takimit, duke rikthyer buzëqeshjen te ekipi, që tashmë shpreson vërtet në një përmbysje të rezultatit.

Ky ishte goli i pestë për Schick në këtë europian, po aq sa Cristiano Ronaldo, por portugezi qëndron ende në krye pasi ka edhe një asist, ndërsa çeku jo. Ndërkohë, dy episode gjatë këtij takimi, të zhvilluar në Baku dhe në temperatura të larta përgjakën dy lojtarë të Çekisë, ku Coufal u detyrua të fashohej fort në kokë pas një take që mori pas koke nga danezi Poulsen.