Danela Arsovska e Bekim Sali drekojnë në Çarshi, të dy presin fitore në raundin e dytë (Video)
Kandidatja e pavarur për Qytetin e Shkupit, Danela Arsovska që mbështetet nga VMRO-DPMNE-ja dhe kandidati i opozitës shqiptare (ASH-AAA) për Çairin Bekim Sali, kanë drekuar sot në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, shkruan gazeta LAJM. Gjatë një prononcimi të shkurtë, Arsovska dhe Sali, kanë thënë se presin votat e qytetarëve për të përmirësuar kushtet e jetës në Qytetin e Shkupit dhe komunën e Çairit.
“Me Bekimin jemi miq dhe koalicionet e mia janë miqësore. Unë e kam kërkuar mbështetjen nga të gjithë shkupjanët pa dallim të asaj ku jetojnë sepse e di se ata dëshirojnë të jetojnë më mirë dhe besoj se të gjithë ata që duan të jetë kështu do të mbështesin vizionin tim që Shkupi të jetë më i bukur dhe më modern”, tha Danela Arsovska.
“Ne presim fitore bindëse në Çair. Ashtu siç reflekton edhe zonja Arsovska për Qytetin e Shkupit. Jemi ulur këtu për një drekë të përbashkët. Presim që të na bashkohet edhe Arben Taravari. Koalicionimi trepalësh funksionon shumë mirë dhe pas gjithë kësaj pune që kemi bërë presim një rezultat shumë pozitiv”, tha Bekim Sali.