Maqedoni

“Çmimin e paguajnë shqiptarët” – Gashi: Derisa debatojmë për emrin e shtetit apo për Goce Dellçevin, qytetarët na ikin në Evropë si emigrantë

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi ka theksuar sot se çmimin e mosmarrëveshjeve politike me fqinjët e paguajnë qytetarët shqiptarë, që sipas tij nuk kanë asnjë problem sa i përket identitetit apo gjuhës së maqedonasve, përcjell KlanM.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut presin tashmë tri dekada deri kur fqinjët tanë të pajtohen për një temë të historisë që ta heqin veton e rrugës sonë integruese. Unë e di rëndësinë historisë dhe kam mirëkuptim për shpjegimet shkencore, por nuk mund të mos e vë re faktin se derisa ne debatojmë se çfarë është emri Maqedoni, nocion gjeografik ose politik, apo se Goce Dellçevi ishte bullgar apo maqedonas, në mënyrë që këto debate të na e sjellin integrimin në BE, ndërkohë më shumë se gjysmë milionë qytetarë tanë kanë gjetur mënyra alternative për të ikur në BE si emigrantë. Natyrisht, për fat të keq, çmimin më të lartë të këtyre pengesave vazhdojmë ta paguajmë ne shqiptarët, që nuk kemi asnjë problem as me identitetin etnik të maqedonasve, as me gjuhën e tyre, as me emrin e tyre”, ka deklaruar Afrim Gashi.
Përveç kryetarit Gashi, si përfaqësuesi i vetëm shqiptar në këtë panel, në të morën pjesë personalitete të larta të jetës politike e diplomatike, si Presidenti Stevo Pendarovski, ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, ambasadorja suedeze, Ami Larson Xhein, si edhe diplomatë të tjerë.

Këto komente, Afrim Gashi i ka bërë në panelin “Ardhmëria e zgjerimit të BE-së në kushtet e sfidave aktuale të sigurisë – cilat janë përfitimet për Maqedoninë e Veriut dhe Bashkimin Europian”, i cili u organizua nga “Konrad Adenauer Stiftung”./KlanMacedonia