Maqedoni

Çmimet e produkteve ushqimore, Jovevski: Ndjehet inflacion dhe mungesë e parave

Mbi 2,600 produkte ushqimore do të jenë në listën e Ministrisë së Ekonomisë, që pritet t’u ulen çmimet pas miratimit të ligjit për praktikat e padrejta tregtare. Me ndryshimet ligjore propozohet të kufizohet marzha e fitimin për këto produkte në 10%.

Pas heqjes së masës për çmime të garantuara pati shumë ankesa për rritje të çmimeve, por nga Komisioni për Mbrojtje të Konkurrencës kanë informuar se deri tani nuk ka indikacione se ekzistojnë marrëveshje për dakordim të çmimeve në zinxhirin e marketeve të mëdha.

Për profesorin universitar, mungesa e të ardhurave ka bërë që qytetarët të jenë më të ndjeshëm ndaj çdo rritjeje eventuale të çmimeve, qoftë ajo edhe e vogël.

“Standardi i punëtoreve viteve të fundit në kontinuitet po ulet, sidomos pas kovidit, ku qytetarët e ndjejnë inflacionin dhe mungesën e parave. Ka disa indikacione për stabilizim, por megjithatë ajo mbetet në formë shumë të vogël. Tani masat janë shfuqizuar sa i përket çmimeve dhe përcaktimit të tyre nga tregu i lirë, ku disa produkte veç më vërejnë një rritje të butë të çmimeve, por jo tek të gjitha produktet. Paga minimale dhe ajo mesatare në vendin tonë mundësojnë jetë për të mbijetuar dhe jo një jetë dinjitoze.”, – theksoi profesori universitar, Lazar Jovevski.

Ndërkohë, Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket çmimeve dhe harxhimeve, ku inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të kostos për jetesë në shkurt të vitit 2024, krahasuar me janarin e vitit 2024, është rritur për 0,4%.

Ndërsa nëse krahasohet me vitin paraprak në shkurt të vitit 2023 vërehet rritje e inflacionit prej 3%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 2,7%.