Çka po paralajmërojnë Mickoski dhe Gashi? A do të sjellë nëntori arrestimet e para të ish funksionarëve?
I pyetur për kërkesat e vazhdueshme të BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin bashkë me lokalet, kryeministri Hristijan Mickoski tha se opozita mendon se zgjedhjet mund t’i zgjidhin problemet, por që sipas tij, problemet për disa politikanë do të vijnë së shpejti.
“I kuptoj politikanët në opozitë se janë të padurueshëm dhe se mendojnë që me zgjedhje të parakohshme do t’i zgjidhin problemet. Kam përshtypje se për disa politikanë të opozitës nuk kanë nisur ende problemet dhe se së shpejti do vijnë problemet, që lidhen me keqpërdorime që janë bërë në të kaluarën”, tha Mickoski.
Qëndrimi kaq i ashpër i shprehur nga kryeministri Mickoski po kuptohet si një paralajmërim për arrestim të shpejtë të ish funksionarëve nga pushtetet e mëhershme, transmeton portali Lideri.mk.
Aq më tepër kur paralajmërime mjaft të ashpra kanë ardhur edhe nga kryeparlamentari Afrim Gashi. Në një intervistë për MIA, Gashi ka theksuar se mungesa e përgjegjësisë është nje nga problemet kryesore.
Gjëja kryesore që qytetarët presin është përgjegjësia, sepse në 34 vitet e fundit është diçka që ne kemi dështuar më së shumti. Duhet, thekson kryetari i Kuvendit, t’i japim fund papërgjegjshmërisë.
“Kjo duhet të marrë fund. Prandaj, sipas meje, qytetarët largohen nga vendi. Ata shohin që kushdo që shkel ligjin, korruptohet, bëhet kriminel dhe pastaj vazhdon të jetojë në këtë vend sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Duhet të ndalet sepse kemi shumë qytetarë që janë qytetarë të denjë, qytetarë të ndershëm, punojnë me ndershmëri, nuk e kanë shkelur kurrë ligjin dhe disa të tjerë, që pasurohen mbi kurrizin e tyre, janë të kriminalizuar, të korruptuar dhe asnjëherë nuk janë marë në përgjegjësi. Nëse nuk e sjellim këtë drejtësi, besoni se çdo gjë tjetër do të jetë e kotë”, ka theksuar Gashi. /Lideri