Maqedoni

Çitaku i del në mbrojtje Ali Ahmetit: Kuazi-filozofët e Kurtit, e ofendojnë si “plak” e “pensioner”

Eksponentë të partisë në pushtetet, Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditëve të fundit kanë kritikuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI), Ali Ahmetin, duke ironizuar me të e duke e quajtur gjysh, pas akuzave të të parit të BDI-së se kryeministri, Albin Kurti, po ndërhynë në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

E për këtë ka reaguar nënkryetarja PDK-së, Vlora Çitaku, duke iu thënë kritikëve të Ahmetit se “nuk hyn lideri i juaj në libra të historisë duke i ofenduar ju çlirimtarët e kombit”.

“Ali Ahmeti ka qenë bashkë-themelues dhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ka arritur te sjellë liri për shqiptarët në dy shtete ndërsa me urtësi ka arritur ndoshta më shumë se kushdo tjetër në Maqedoninë fqinje, ta anëtarësoj këtë shtet në NATO.

Sot, kuazi-filozofat e Kurtit, që vetëm urrejtje dhe sharje kanë sjellë ndër shqiptarë, e ofendojnë Ahmetin si “plak” e “ pensioner”. Nuk hyn lideri i juaj në libra të historisë duke i ofenduar ju çlirimtarët e kombit. Si nuk gjetët një trohë modesti e dinjitet pas tre vitesh pushtet të pakufizueshëm por të dështuem”, ka shkruar Çitaku në Facebook.