Maqedoni

Cilët narrativë dominuan raportimin mediatik mbi tensionet e fundit ndëretnike?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Media është instrument i rëndësishëm në sferën publike, i cili ruan ndikimin e madh ndaj opinionit publik, krahas zhvillimit të hovshëm të rrjeteve sociale, por edhe ndikimit të tyre të zmadhuar si rezultat i “shpërnguljes” masive të publikut në to. Ajo ka fuqinë e definimit të kornizës se çfarë është e rëndësishme në jetën publike dhe ka rol dominues në shoqërinë bashkëkohore. Siç thotë autori Denis Mekuejl, media është “burim potencial i fuqisë, ndikimit dhe kontrollit, vendi ku ndodhin shumë ngjarje të rëndësishme të jetës publike, njëri nga burimet më të rëndësishme të definimit të realitetit shoqëror”.

Në këtë kontekst, mund të thuhet se media që nga mëvetësimi i Maqedonisë së Veriut ka qenë instrument për polarizimin etnik të vendit, sidomos të relacioneve shqiptaro-maqedonase, ngjashëm siç ka vepruar edhe në komunizëm.

Por, të shohim, vallë kjo mënyrë e raportimit vazhdon të dominojë hapësirën mediatike të vendit. Si raportuan mediat mbi çështjet që ndikuan në tensionimin e këtyre marrëdhënieve gjatë muajve të fundit, siç ishte shqyrtimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese, festimet e 28 Nëntorit dhe arrestimet për djegien e flamurit shtetëror dhe atij kombëtar shqiptar, si dhe akuzat e kryeministrit Hristijan Mickoski për destabilizim të shtetit nga ana e BDI-së?

Gazetaria etnike triumfon ndaj standardeve profesionale dhe etike

Gazetaria shpesh ka qenë një forcë negative në shoqëri, pasi ka publikuar përmbajtje, të mbushura me gjysmë të vërteta dhe keqinformime, të cilat thellojnë dallimet etnike.

Por, edhe pse një pjesë e sistemit mediatik mban autorësinë e diskursit që thellon ndasitë në shoqëri, media nuk është çdoherë burimi autentik dhe origjinal i prodhimit, këndvështrimit, perspektivës dhe masivizimit të narrativëve partiak, politik dhe ideologjik, që përçajnë shoqërinë në vija etnike dhe që pasqyrojnë në forma të ndryshme dy realitete të shoqërisë, atë maqedonas dhe shqiptar. Kjo, pasi media, duke qenë shpesh zëdhënëse apo promovuese e agjendave politike, bëhet platformë e përcjelljes publike të deklaratave, komunikatave, intervistave, qëndrimeve në debate publike, fjalimeve publike të politikanëve dhe figurave publike, të cilat shpesh, në vend se të përçojnë porosi për mirëbesim, mirëkuptim dhe tolerancë, shënjojnë dhe përforcojnë vijat ndarëse në shoqëri.

Në këtë mënyrë, mediat konstruktojnë një realitet virtual që dallon nga realiteti objektiv, në të cilin marrëdhëniet ndëretnike nuk janë ideale pas konfliktit të vitit 2001, por luhaten vazhdimisht mes konfliktit dhe kohezionit të qëndrueshëm.

Maqedonia e Veriut është shoqëri e brishtë në kuptimin ndëretnik dhe nevojitet një shkëndijë e vogël që të elektrizojë gjendjen, ndërsa gazetarët shpesh janë para dilemës etike se vallë duhet të jenë pasqyrues dhe reflektues objektiv të zhvillimeve, apo të vetëkufizohen që të mos përcjellin narrativë që nxisin konfrontimin. Sepse, gazetarët kanë për detyrë që të pasqyrojnë faktet, ndërsa vetëkufizimi apo vetëkontrolli duhet të vlejë vetëm kur përdoret gjuha e urrejtjes mbi baza etnike, fetare ose baza tjera.

Shqyrtimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese – dëshmi për diskursin etnocentrik në media

Shqyrtimi i nismës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, e ngritur nga funksionarë të partisë VMRO-DPMNE, por edhe nga disa parti, intelektualë e opinionistë të së djathtës maqedonase, përdëftoi për të satën herë se në mediat e vendit është i pranishëm diskursi etnocentrik, i cili më shumë është i prodhuar nga politika.

Shtyrja e marrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese për në muajin mars të vitit të ardhshëm, në mediat shqipe u raportua objektivisht dhe në mënyrë korrekte. Ngjashëm, edhe mediat në gjuhën maqedonase raportuan mbi këtë vendim, mirëpo, varësisht nga politika editoriale mund të hetohej pozicionimi politik, që dëshmohet si në sasinë e qëndrimeve dhe deklarimeve, po ashtu edhe në cilësi.

Më herët, këtë shtyrje e bënë të ditur mediat, bazuar tek deklaratat e qeverisë, përkatësisht kryeministrit Hristijan Mickoski dhe më pas zëvendësit të tij, Izet Mexhiti, se ditën kur Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim nuk do të ndodhë asgjë. Por deklaratat e dyshes qeveritare u transmetuan dhe kaluan në heshtje në media, pa u kontekstualizuar dhe interpretuar! Nuk u ngrit në nivel debati çështja se prej ku i kanë informacionet kryeministri dhe zëvendëskryeministri që të prejudikojnë se cili do të jetë vendimi i Kushtetueses dhe sa ajo është institucion i pavarur nga politika.

Para kësaj, mediat kanë raportuar edhe mbi qëndrimin e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili duke iu përgjigjur qëndrimit të Mickoskit se “Nuk është në pyetje Ligji për gjuhën shqipe, por dy apo tri nene“, u shpreh “Mos na prekni në palcë se nuk është mirë as për ju e as për ne“. Mendohet – as për shqiptarët dhe as për maqedonasit. Ngjashëm ka reaguar edhe kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili porositi Mickoskin: “Thirrni mendjes, mos e prekni gjuhën shqipe, ajo do të rrezistojë siç ka rrezistuar 8 mijë vite“.

Edhe qëndrimet e këtilla nuk u interpretuan në media, përkatësisht, nuk u dha gjykimi vlerësues se ku shpijnë këto qëndrime dhe a mund të krijojnë tensione të reja etnike.

Në këtë drejtim, mediat maqedonase i kushtuan hapësirë të madhe organizimit të protestuesve shqiptarë nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim në vigjilje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 11 dhjetor, si formë paralajmëruese, por edhe kërcënuese sipas mediave maqedonase, se nëse gjykata miraton vendim kundër shqipes, në skenë dalin opsione për reagime masive në rrugë.

Incidentet me flamujt gjatë dhe pas festimit të 28 Nëntorit rrisin polarizimet etnopolitike dhe mediatike

Siç ndodh rëndom në Maqedoninë e Veriut, diskursi mediatik dhe politik, i cili ka reflektim të madh në rrjetet sociale dhe i cili është i tensionuar nga vlerësimet dhe komentet etnocentrike, si nga politikanët dhe mediat, po ashtu edhe nga publiku, shfaqet në rrafshin e realitetit shoqëror.

Kjo u vërejt gjatë 28 Nëntorit, ditës së festimit të flamurit kombëtar të shqiptarëve. Festimet nëpër rrugët e qyteteve, të cilat nuk kishin organizator zyrtar, u shoqëruan me disa incidente të djegies dhe shkeljes së flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut dhe flamurit kombëtar shqiptar. Këto ngjarje, të cilat ishin në fokus të mediave me ditë të tëra, ndikuan jo vetëm në rritje të polarizimit dhe ndarjeve etnike, por edhe në intensifikimin e gjuhës së urrejtjes, sidomos në rrjetet sociale.

Mediat shqipe raportuan se në festime pati djegie të flamujve, atij shtetëror, ndërsa nga disa të rinj maqedonas u dogj flamuri shqiptar. Përderisa mediat shqipe theksin e vendosën tek djegia e flamurit me shqiponjë, mediat maqedonase u fokusuan kryesisht tek djegia e flamurit shtetëror dhe tek arrestimi i personave shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në incidentet e 28 nëntorit.

Përderisa partitë politike akuzonin njëra-tjetrën për incidentet dhe për qasje selektive ndaj autorëve të tyre, një pjesë e madhe e mediave transmetuan në mënyrë jokritike këtë diskurs politik, duke shfaqur anshmëritë e tyre politike dhe etnike.

Kjo mënyrë e raportimit dëshmoi edhe njëherë se në pjesën më të madhe të mediave dominon raportimi etnocentrik, i cili i forcon dhe thellon ndarjet etnike dhe nuk ndihmon për tejkalim të polarizimit të shoqërisë.

Tema e “destabilizimit të shtetit” mbahet aktuale në media me muaj

Diskursi polarizues në vend, i artikuluar dhe i mediatizuar nga mediat e ndryshme nuk është risi në vend, edhe pse intensiteti i tij rritet, sidomos kur në pushtet kemi forcën e djathtë politike, VMRO-DPMNE, e cila shquhet për qëndrimet e saj etnocentrike. Ky diskurs, të cilit i kundërpërgjigjet diskursi i proveniencës opozitare shqiptare, ishte i dukshëm që para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, por edhe pas tyre.

Shembull për këtë është tema për “destabilizim të shtetit”, të cilën e aktualizon muaj me radhë kryeministri Mickoski. Që para pesë muajve, më 5 gusht të vitit 2024, kryeministri Mickoski përdori retorikë të ashpër, duke paralajmëruar se “Ka informacione se BDI po përgatit destabilizim të shtetit, presim që kjo të ndodhë në vjeshtë“!

Por, edhe pse vjeshta kaloi, kryeministri vazhdon të drejtojë kritika dhe akuza ndaj BDI-së se po përgatit skenar destabilizimi dhe se reagimet e kësaj partie ndaj heqjes së balancuesit për përfaqësim në administratë dhe shqyrtimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese janë në funksion të mbrojtjes së personave që dyshohen se janë të inkriminuar dhe se tentimet për destabilizim janë në këtë vijë.

Por, në këtë kontekst, mediat vetëm se kanë vazhduar të kryejnë funksionin e tyre informativ duke përcjellur këto qëndrime, por jo edhe atë kritik dhe analitik, pasi gazetarët nuk kanë pyetur kryeministrin Mickoski se pse merret vazhdimisht me motive dhe skenare për destabilizimin e vendit pa dëshmi konkrete, dhe pse informacionet, për të cilat tha se i ka në dispozicion, nuk janë bërë realitet.

Portretizimi etnik në media ngjall frikë tek qytetarët

Analiza e përmbajtjes së mediave tregon se kundërshtarët politikë shpesh, madje në mënyrë rutinore dhe më të keqe të mundshme i përdorin çështjet etnike për qëllime politike dhe specifikisht elektorale. Ndërsa, një pjesë e mediave, në vend që të jetë e paanshme duke ofruar fakte që informojnë dhe kontribuojnë në demokratizimin dhe stabilitetin e shoqërisë, kanë luajtur rol të kundërt.

Gazetarët dhe redaksitë e mediave në shoqërinë shumë-etnike dhe shumë-kulturore shpesh kanë qenë në pozitë të jashtëzakonshme delikate, pasi duke qenë pjesëtarë të një komuniteti etnik, shumë vështirë e kanë ruajtur objektivitetin si standard bazik të gazetarisë, ndërsa kjo ka ndodhur për shkak të presionit së diskursit mbizotërues politik.

Siç dëshmojnë edhe rastet e fundit, një pjesë e mediave dhe gazetarëve e konsiderojnë veten si apologjetë të kauzave etnike dhe jo si vrojtues kritik të gjendjes dhe faktorëve kompleks që e shkaktojnë atë. Portretizimi i protestuesve të cilët djegin flamujt, njërin të shtetit dhe tjetrin të shqiptarëve, dëshmon se faji për tensionet kërkohet tek “pala tjetër etnike”. Gazetarët kanë ofruar mbulim negativ, por edhe sipërfaqësor, që ngjall frikë dhe pasiguri tek qytetarët. Në raportimin mbi çështjen e gjuhës shqipe (ligjit të gjuhëve) dhe festimin e flamurit shqiptar ka munguar qasja analitike dhe hulumtuese e kërkimit të shkaqeve shoqërore dhe politike për reagimet e tilla shoqërore.

Këto ngjarje dhe trajtimi i tyre në media dëshmuan sërish se në një demokraci paskonfliktuoze, raportimi mbi “tjetrin” kolektiv, pra për identitetin e tij etnokulturor është sfidë, e cila duhet të trajtohet në mënyrë shumë më të kujdesshme dhe më profesionale.

Përfundime

Mediat në vend, duke qenë shpesh dorë e zgjatur e politikës, në përmbajtjet e tyre shfaqin diskursin etnocentrik, i cili në disa raste prodhohet nga vetë ata, por më së shumti krijohet nga partitë politike dhe institucionet e shtetit.

Media në shumë raste nuk i pasqyron kërkesat dhe interesat e kolektiviteteve etnike në mënyrë të barabartë, por përdor diskurs dhe teknika të ndryshme favorizuese, fakt që argumenton se etniciteti ka rol të rëndësishëm ndaj strukturimit të përmbajtjeve mediatike në zhanre të ndryshme.

Gazetarët dhe mediat shpesh i publikojnë deklaratat e politikanëve që kanë diskurs polarizues pa iu dhënë interpretime kontekstualizuese, përkatësisht pa përdorur qasje kritike dhe analitike, dhe në këtë mënyrë shpesh shërbejnë vetëm si platforma transmetuese të retorikës politike.

Raportimi mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe (ligjin për përdorimin e gjuhëve), mbi komentet politike për këtë çështje, mbi deklaratat për destabilizimin e vendit dhe festimet në ditën e flamurit kombëtar shqiptar dhe për shumë çështje të karakterit ndëretnik, nxjerr në syprinë realitete paralele etnike, atë maqedonas dhe shqiptar.

Rekomandime

Mediat në raportimet e tyre nuk duhet ta fshehin realitetin objektiv dhe të vetëkufizohen, kur bëhen deklarata politike me nota polarizuese, por nuk duhet të jenë nxitëse të diskursit përçarës ndëretnik.

Duhet pasur kujdes që kur përdoret gjuhë e urrejtjes, të mos publikohet në media në formë citatesh, por e parafrazuar, pasi riprodhimi i saj shkakton ndasi në shoqëri mbi baza etnike dhe mund të jetë shtytës për diskriminim, ekstremizëm dhe dhunë.

Meqë tensionet etnike janë të ndjeshme, mediat duhet të jenë të balancuara në aspektin etnik, përkatësisht të konsultojnë së paku dy burime, të pavarura mes vete.

Gazetaria e raportimit të diversiteteve nuk është thjesht një mision demokratik dhe shoqëror, por ka edhe efekte të përfitimit ekonomik, pasi duke thyer barrierat etnike zgjerohet numri i audiencës, që do të thotë rritje e reklamave.

Këto sfida me të cilat ballafaqohen mediat dhe shoqëria me vite, janë tregues se nevojitet trajnim i brezit të ri të gazetarëve, që të mund të jenë më të përgjegjshëm dhe mediat e tyre të kontribuojnë në integrimin dhe kohezionin e shoqërisë, ndërsa demokracia e vendit të bëhet më funksionale dhe të mos shpenzohet kaq shumë energji në çështjet etnike.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)