Cila ishte porosia e Escobar për Ballkanin Perëndimor?
I pyetur nëse Propozim-rezoluta e Senatit amerikan, e cila kërkon hapjen e klasterit të parë negociator të BE-së me vendin pa kushte shtesë dypalëshe, paraqet ndryshim të qëndrimit të SHBA-së në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, Eskobari theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë anëtarë të rëndësishme të NATO-s dhe aleatë të Uashingtonit, ndaj administrata amerikane dëshiron zgjidhje paqësore të të gjitha çështjeve.
Sipas tij, SHBA-ja angazhohet për vazhdimin e dialogut mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të bazuar në fakte dhe janë të përkushtuar në dispozitën për ruajtje të perspektivës evropiane në vend.
“Morëm siguri nga Bullgaria se ata duan që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e BE-së. Duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e këtyre mundësive, sepse Maqedonia e Veriut duhet të jetë kandidate e barabartë për anëtarësim në BE”, shtoi Eskobari.
Sipas tij, pikërisht çështjet e hapura në rajon e bëjnë Ballkanin Perëndimor të nënshtruar në përzierje dashakeqe nga anash, përfshirë nga Rusia, pastaj për ulje të rrezikut nga ajo duhet të punohet në tejkalimin e çështjeve të pazgjidhura.
Rusia përfiton nga tensionet mes Kosovës dhe Serbisë-
Autoritetet e Kosovës tash e një kohë përmendin ato që i quajnë tentime të Rusisë për të destabilizuar rajonin. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur këtë çështje kur ka takuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington. Osmani ka thënë se përpjekjet e Rusisë përhapen në Ballkan nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti amerikan, Joe Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, ka thënë Osmani më 27 korrik.
Këto përpjekje të Rusisë i ka përmendur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bisedë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të realizuar më 2 gusht. Sipas kryeministrisë, Kurti ka thënë se fushata dezinformuese e Serbisë është duke u ndihmuar nga shteti rus. Ndikimi rus është përmendur edhe ditë më parë kur autoritetet e Kosovës kanë arrestuar e më pas dëbuar gazetaren rus, Daria Aslamova.
Ndryshe, përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar rajonin nuk janë të tanishme por datojnë më herët, fokusi i Rusisë është kryesisht në Kosovë, por nuk përjashtohen edhe shtetet tjera në të cilat ndikimi i propagandës ruse ka pasur një ngritje të hovshme. Prandaj, edhe nga Maqedonia e Veriut janë dëbuar shumë diplomatë rus për të cilët është vlerësuar se kanë bërë spiunazh dhe kanë keqpërdorur detyrën e tyre.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /Zhurnal.mk