Çështja e dinarit dhe dialogu, Escobar nesër i shkon në zyrë Kurtit
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të nisë vizitën dyditore në Kosovë për t’u takuar me krerët e vendit dhe përfaqësues të opozitës.
Escobar sot do të takohet me presidenten e vendit me të cilën do të ketë edhe një adresim për media, ndërsa nesër do të jetë në zyrë te kryeministri Kurti.
Se kryeministri Kurti, do të takohet nesër me Escobarin e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Escobar fillimisht do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Takimi pritet të nisë në orën 10:00, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Pas takimit, Osmani bashkë me Escobarin pritet t’i adresohen mediave në një konferencë.
Krahas takimeve me krerët e shtetit të Kosovës, që Departamenti i Shtetit i ka paralajmëruar, emisari amerikan takim do të zhvillojë edhe me krerët e opozitës. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme për Gazetën Online Reporteri.net se kryetari Lumir Abdixhiku do t’i përgjigjet ftesës së emisarit amerikan. Edhe nga AAK-ja jo zyrtarisht i kanë konfirmuar Gazetës Online Reporteri.net se edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj do të jetë pjesëmarrës në këtë takimin e së mërkurës, që sipas tyre “ka kohë që është kërkuar nga stafi i Escobarit”.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se ftesë për takimin me opozitën ka edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Një ditë para vizitës së tij në Kosovë, Escobar, në një diskutim online me gazetarë ku mori pjesë edhe gazeta online Reporteri.net, ka numëruar 5 arsye që sipas tij, rregullorja e re e BQK-së është problematike në implementim.
“Është vendim katastrofal”, tha Escobar në hyrje të diskutimit. Sipas tij, “Kosovës i duhet ndihma për këtë çështje”.
“Po dëgjojmë shumë raportime për vështirësi për qytetarët që varen nga pagesat. Pesë arsye: Shpejtësia e implementimit. Nuk po diskutojmë legjitimitetin e vendimit, por implementimin e vendimit. Qeveria nuk ka ofruar alternativa tjera, dhe këta njerëz varen nga këto pagesa. Nuk ka pasur paralajmërim/parapërgatitje, pra shumë njerëz që janë varur nga këto pagesa janë lënë në udhëkryq”, tha Escobar.
Escobar ka lënë të kuptohet se me të tilla veprime, Kosova po e pengon dhe anashkalon Dialogun.
“Rruga për BE dhe NATO shkon kah pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Këto shtete dëshirojnë të shohin lëvizje. Pra duke injoruar dialogun, Kosova është duke injoruar rrugën përpara. Jam i shqetësuar që Kosova nuk është duke e dëgjuar SHBA-në për rrugën përpara”, tha emisari amerikan.