Cërvica e Kërçovës, fshati “i plagosur” nga kurbeti! Nga 2.900 banorë, vetëm rreth 600 jetojnë në këtë fshat
Shtëpi të bukura e të mëdha, por të gjitha të mbyllura nga “plaga” e mërgimit që ka kapluar fshatin Cërvicë të Kërçovës. Rrugët e zbrazura i japin fshatit zymtësi. Ky fshat është më i prekuri nga largimi i banorëve për një jetë më të mirë në kurbet. Nga Bashkësia Lokale thonë se Cërvica ka rreth 2900 banorë, por pak prej tyre jetojnë këtu, shumica pleq.
“Në bazë të statistikave që ne si bashkësi lokale i kemi diku 2900 persona në përgjithësi fëmijë, të rritur dhe të moshës së thyer, nga ky numër 600 janë që jetojnë në fshat dhe atë nga ky numër gjysma janë të moshës së thyer”, theksoi Betim Klosi, kryetar i Bashkësisë Lokale Cërvicë.
Feto Dauti, banor i Cërvicës, bën dallimin se si ishte e si është sot fshati. Ai ka një lokal dhe rrëfen se para 20 viteve nuk kishte karrige të lirë, e sot ka ardhur koha që mezi mblidhen 5 persona.
“Ka shumë faktorë, por faktori kryesorë është se askush nuk e lëshon vendi nga malli, por nga halli thotë një fjalë popullore. Nuk është e lehtë që të lësh vendlindjen dhe të nisin një jetë të re në një vend të pa njohur. Por njerëzit ikin nga kjo politikë e dobët që kaq shumë vite udhëhiqet në këtë shtet”, theksoi Feto Dauti, banor.
Axha Feto si faktor të rëndësishëm të migrimit konsideron kushtet e pavolitshme për të jetuar, kushtet e këqija në spital dhe në sistemin e drejtësisë, që kanë ardhur si rrjedhojë e politikave të gabuara që nuk bëjnë asgjë tjetër përveç së përzë të rinjtë nga vendi.
“Mendoj se brenda 10 viteve ky fshat do të zhduket, fshat i cili ka 550 shtëpi, me gjithë infrastrukturën. Mirëpo hall është se këta nuk sollën papunësinë por fukarallëkun, dita ditës, çdo gjë shtrenjtohet e populli nuk lëviz, shtrenjtohet rryma, shtrenjtohen derivatet e naftës ka 30-40%, shtrenjtohen edhe 30-40 mijë artikuj tjerë, ndërsa ky popull fle me sy çelë, mjerë ne të mjerët që jetojmë në këtë shtet, me këta njerëz dhe me këtë udhëheqësi të dobët, 20 vjet një ministër, 20 vjet një zëvendësministër, 20 vjet një politikan” tha Feto Dauti, banor.
Nëse në vitin 1994 shkolla ka pasur 280 nxënës, sot janë vetëm 32. Shumë të rinj që kanë mbetur në Cërvicë, çdo ditë presin vizat për në shtet e perëndimit.