Caktohet inaugurimi i presidentes se re
Të dielën, më 12 maj, do të mbahet seanca për inaugurimin e presidentes së sapozgjedhur, Gordana Siljanovska Davkova. Kuvendi njoftoi se kryetari Jovan Mitreski është në pritje të përfundimit të procedurave në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
“Mitreski seancën inauguruese do ta caktojë pasi ta marrë Raportin nga KSHZ-ja, afati i fundit është të premten në ora 19. Pas marrjes së Raportit, ai do të caktojë seancën inauguruese, e cila do të mbahet më 12 maj (e diel) në orën 12.00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Pikërisht Siljanovska, si presidente e re e shtetit, do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re partisë fituese në zgjedhjet parlamentare. Këtë ajo duhet ta bëjë jo më vonë se dhjetë ditë pas konstituimit të përbërjes së re parlamentare. Sa i përket seancës konstituive të Kuvendit, ajo është planifikuar të caktohet jo më vonë se 20 ditë pas zgjedhjeve të mbajtura, do të thotë më 28 maj. Këtë seancë pritet ta thërrasë edhe kryetari aktual i Kuvendit, Jovan Mitreski, ndërsa nëse nuk e bën këtë, dispozitat ligjore parashikojnë që në ditën e 21 të zgjedhjeve, deputetët e sapo-zgjedhur të mblidhen vetë për konstituimin e Kuvendit kurse me këtë seancë do të kryesonte deputeti më i vjetër. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për Alsat bën me dije se afati prej 48 orëve për ankesa dhe vërejtje për shkelje të mundshme të të drejtës së votës për zgjedhjet presidenciale tashmë është duke rrjedhur dhe përfundon nesër. Po ashtu, rrjedh afati dyditor për vërejtje lidhur me rezultatet e përmbledhura të zgjedhjeve, pasi KSHZ-ja dje pas orës 19:00 filloi shpalljen e rezultateve fillestare jozyrtare për zgjedhjen e kreut të shtetit. Edhe ky afat skadon nesër dhe për momentin asnjë parti nuk ka bërë njoftim zyrtar se do t’i kontestojë rezultatet, andaj pritet që Gordana Siljanovska- Davkova të fillojë ta ushtrojë postin e presidentes nga e diela. /Alsat.mk