Maqedoni

Bytyqi: Vizionin për kompanitë vendase konkurruese në tregjet ndërkombëtare e realizojmë përmes LMFI-së

Vizioni i Qeverisë për ngritjen e konkurrueshmërisë së kompanive vendase në tregjet ndërkombëtare po realizohet gjithnjë e më shumë përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, me të cilin ne mbështesim financiarisht 919 kompani në ciklet e tyre investuese, të cilave u përgjigjen me vende të reja pune me paga më dinjitoze për qytetarët tanë, tha sot zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Bytyqi gjatë vizitës së tij në kompaninë “Adrius” në Shkup.

Siç informoi Bytyqi, vetëm në vitin 2023 janë pranuar 427 aplikime rekorde për projekte të reja investuese, ndërsa janë miratuar ose nënshkruar 289 kontrata të reja (sipas LMFI) me kompanitë që parashikojnë investime prej 366 milionë euro dhe do të hapen 4439 vende të reja pune.

“Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve është një forcë transformuese që hapi horizonte të reja për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë sonë, përmes partneritetit dhe qasjes gjithëpërfshirëse ndaj politikave ekonomike të Qeverisë”, tha Bytyqi.

Duke iu referuar “Adrius”, e cila është pjesë e industrisë së mishit, ai theksoi se kjo kompani mbështetet edhe nga Qeveria përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve (LMFI).

Kompania “Adrius” ka nisur me modesti, por me vizion për t’u bërë një kompani serioze që do të eksportojë në tregjet e huaja. “Pikërisht këtë e ka njohur Qeveria, pra me marrëveshjen e parë për ciklin e investimeve 2018-2021, për investimin prej 110 milionë denarë, e përkrahëm me masën Mbështetje për rritje të investimeve kapitale dhe të ardhurave, me rreth 9 milionë denarë. Adrius i inkurajuar nga ndihma financiare e Qeverisë ka hyrë në ciklin e dytë investues, në vlerë prej së paku 35 milionë denarë për periudhën 2022-2026, për të cilin e mbështesim në aspektin e punësimit të ri, rritjes së investimeve kapitale dhe të ardhurat dhe rritjes së konkurrueshmërisë në treg, e cila është veçanërisht e rëndësishme sepse është një kompani e orientuar drejt eksportit”, tha Bytyqi. Besimit, qeveria do t’i përgjigjet me ndryshimin e Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve për pagesë të garantuar 100% për secilën kompani, në mënyrë që në të ardhmen pagesa e mbështetjes të mos varet nga vullneti i dikujt”, deklaroi Bytyqi.

Pronari i kompanisë Adrius, Rexhep Bajrami, falënderoi Qeverinë për ndihmën financiare, veçanërisht në kohë krize.

“Ne si kompani jemi shumë të kënaqur nga ndihma e qeverisë, sepse këtë ndihmë e kemi shfrytëzuar për të përmirësuar gjendjen brenda kompanisë, por edhe të mbajmë punëtorët si dhe të përmirësojmë punën e paketimit. Kemi pasur shumë nevojë sidomos në kohërat e krizës, tashmë e kemi tejkaluar këtë moment dhe nuk do ta ndalim punën, por do të vazhdojmë më fuqishëm duke rritur numrin e punëtorëve dhe kapacitetet, pasi tashmë bëjmë edhe eksport. Ndihma na ka shërbyer të dëshmojmë se kemi cilësi dhe produkte të mira”, tha Bajrami.