Bytyqi: Krijojmë klimë të favorshme dhe të parashikueshme për biznes
“Qëllimi ynë final është që të krijojmë rrethinë të sigurt dhe të parashikueshme biznesi për investitorët, si për kompanitë vendore, ashtu edhe për investitorët e huaj dhe ta ngritim konkurrencën, të jemi të gatshëm për hyrje në BE”.
Këtë e deklaroi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, duke folur në panelin “Trasimi i rrugës për rritje dhe zhvillim në periudhë pas Kovid-it”, që u mbajt në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga revista me famë botërore “Economist”, që po mbahet sot në Shkup.
Zëvendëskryeministri vuri në dukje se dy vitet e fundit kanë sjellë shumë sfida, të panjohura deri më tani, për të gjitha vendet në botë dhe se të gjitha ato sfida dhe veprimtari të ndërmarra për t’i kapërcyer ato duhet të shihen përmes një prizmi pozitiv, sepse shoqëria duhej të adaptohej shpejt, për të krijuar kohezion shoqëror midis të gjithë palëve dhe për të marrë vendime të shpejta dhe korrekte që do të zvogëlojnë efektet negative të krizës dhe do të sigurojnë kushte për rimëkëmbje të shpejtë dhe rritje ekonomike në periudhën pas Kovid-it.
“Kjo krizë ka vërtetuar se zinxhirët e furnizimit, me prokurime nga vendet e largëta, nuk janë të qëndrueshëm, dhe kjo është ajo ku ne shohim shansin tonë të përbashkët. Është e nevojshme që ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, të përqendrohemi në rritjen e konkurrentshmërisë rajonale, në vend që të intensifikojmë konkurrencën reciproke dhe kështu të krijojmë një treg të përbashkët, i cili do të kompensojë dhe forcojë vlerën e shtuar pranë zinxhirëve të furnizimit”, theksoi Bytyqi.
Bytyqi iu referua edhe mundësive për investime në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se vendi ynë ofron kushte vërtet të mira për realizimin e investimeve të të gjitha kompanive. Ai shtoi se 4 vjet më parë, Qeveria mori vendimin e duhur, i cili nuk bën më dallim midis investitorëve vendas dhe të huaj, pra siguron kushte të njëjta dhe transparente për marrjen e mbështetjes shtetërore për të gjitha kompanitë që plotësojnë kriteret.