Rajon - Botë

Bundestagu gjerman me numër rekord të deputetëve

Kay Nietfeld
Seancën konstitutive të Bundestagut e drejton deputeti më i vjetër, që njëherit është edhe kryetari i deritanishëm i Bundestagut, Wolfgang Schäuble nga partia CDU. Ndërsa Bundestagu gjerman do të ketë në këtë mandat një numër rekord prej 736 deputetë. Në prag të seancës pati një ndriçim të godinës së Parlamentit nga ana e Shoqatës së Taksapaguesve të cilët mendojnë se Bundestagu duhet të ketë më së shumti 500 deputetë. Kryetari i Shoqatës Reiner Holznagel, thotë se kjo përbërje e Bundestagutdo të ketë shpenzime më shumë prej të paktën 410 milionë euro gjatë këtij mandati.

Gratë drejtojnë Bundestagun

Në seancën konstitutive merr pjesë edhe presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier. Ndërsa kjo seancë shënon edhe fillimin e fundit të mandatit të kancelares Angela Merkel, pasi që socialdemorkatët, liberalët dhe ekologjistët tani më kanë filluar negociatat për krijimin e koalicionit të ri qeveritar. Partitë politike kanë propozuar edhe organet drejtuese të Bundestagut. Sociacemokratët si partia me numrin më të madh të deputetëve ka propozuar që kryetare e re e Bundestagut të jetë Bärbel Bas, ndërsa zëvendëkryetare nga radhët e kësaj partie është propozuar Aydan Özoguz. Zgjedhja e tyre konsiderohet si e sigurt, pasi që partitë politike në Gjermani zakonisht i respektojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe propozimin e partisë më të madhe për postin e kreut të Bundestagut.

Në historinë e Bundestagut gjerman ka pasur deri tani vetëm dy kryetare. Në vitin 1972 në këtë post është zgjedhur socialdemokratja Annemarie Renger, që ishte një ngjarje historike. Ndërsa kristiandemokratja Rita Süsmuth ishte në krye të Bundestagut prej vitit 1988 deri 1998.

Një grua për postin e zëvendëskryetares në përbërjen e tanishme ka propozuar edhe Unioni CDU/CSU, i cili mendon se ky post duhet t’i takojë deputetes Yvonne Magëas. E të njëjtën e kanë bërë edhe ekologjistët, të cilët kanë propozuar Claudia Roth, si dhe E Majta e cila propozon Petra Pau për zëvendëskryetare. Liberalët propozojnë deputetin me përvojë të gjatë Wolfgang Kubicki. Këta kandidatë konsiderohen si të sigurt se do të zgjidhen në këto poste. Ndërsa AfD ka propozuar Michael Kaufmann për postin e nënkryetarit. Ai nuk është i sigurt se do të zgjidhet në këtë post, sepse në mandatin e kaluar, partitë e tjera kanë refuzuar të votojnë kandidatët e Alternativës për Gjermani (AfD)për postin e nënkryetarit.

Debati rreth ulëseve

Partia liberale (FDP) ka kërkuar që në Bundestag të ndryshohet renditja e ulëseve, sepse ata nuk duan të jenë afër partisë AfD. Liberalët duan të zëvendësojnë ulëset me partinë e Unionit CDU/CSU, të cilat sipas të gjitha gjasave do të jenë në opozitë. Por partitë e Unionit janë kundër, sepse sipas shpjegimit të tyre, liberalët gjithmonë në Bundestag kanë qenë të ulur në krahun e djathtë të tyre.