September 28, 2024
Maqedoni

Bukpjekësit nga Kosova shpëtuan qytetarët e Maqedonisë, çmimi i bukës ulet në 25 denarë

Disa nga furrtarët në vend vendosën të rrisin prodhimin e bukës dhe ta shesin për 33 denarë.

Mirëpo pas tekstit të botuar në portalin Lideri.mk, për gatishmërinë e bukpjekësve nga Kosova të sjellin bukë në Shkup edhe për çmim 27 ose 28 denarë, shumë furra në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë filluar fare bojkotin e paralajmëruar, e madje e kanë ulur çmimin e bukës në 25 denarë.

Këtë vendim të disa furrave të bukës në mbarë vendin e ka përshëndetur edhe Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike dhe investime.

“I përgëzoj dhe falënderoj ata furrtarë që guxuan dhe vendosën me përgjegjësi të qëndrojnë në krah të qytetarëve. Më vjen mirë që shembuj të tillë ka gjithnjë e më shumë. Qeveria subvencionoi kompanitë dhe qytetarët në sektorin e energjisë elektrike për t’i mbrojtur ata nga ndikimi i krizës energjetike dhe nga rritja e shpenzimeve. Ne ndihmojmë për të siguruar funksionimin normal dhe jetën e përditshme. Qëllimi i subvencioneve nuk është dhe nuk mund të jetë rritja e fitimit në kushte krize”.
“Kompanitë nuk dëmtohen nga ngrirja e çmimit të bukës. Kjo është një masë e përkohshme me të cilën ne mbrojmë popullin nga rritja e çmimeve dhe mbrojmë shtetin që të mos ketë abuzime me mbështetjen dhe që kompanive t’u ofrohet ndihmë në të ardhmen”, ka shkruar Bytyqi.

Ditë më parë Qeveria e RMV-së solli vendim ta ngrijë çmimin e bukës në 33 denarë, ndërsa prodhuesit më të mëdhenj të bukës në vend e kundërshtuan këtë vendim duke mos prodhuar bukë.