Maqedoni

Bujar Osmani: Integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për stabilitetin rajonal

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka marrë pjesë në Takimin joformal të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, në Pragë.

Në fokus të takimit ishte situata aktuale e sigurisë, me theks në forcimin e mbështetjes për Ukrainën. Ministrat iu referuan edhe vendimeve që do të miratohen në Samitin e NATO-s në Uashington.

Osmani iu referua nevojës për përshpejtimin e proceseve integruese euroatlantike.

“Është thelbësore të integrohet Ballkani Perëndimor për të konsoliduar stabilitetin në rajon dhe për të parandaluar ndikimet destabilizuese nga palët e treta. Perspektivat e BE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të konsiderohen si politikë strategjike e sigurisë”, ka theksuar Osmani.

Njëherit, Osmani theksoi qëndrimet tashmë të njohura të vendit tonë, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka qenë e vendosur në mbështetjen e saj për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus.

Ai theksoi gjithashtu se si një anëtar i besueshëm i Aleancës, vendi tashmë ka tejkaluar kufirin e ulët prej 2% të PBB-së për investimet në mbrojtje, si dhe theksoi se është një mbështetës i fortë i politikës së dyerve të hapura të Aleancës.