Bujar Osmani dhe Talat Xhaferi shtrëngojnë duart me ministrin e Vuçiqit
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë arritën nivel historik të shkëmbimit ekonomik-tregtar në mbi një miliardë euro, që pritet të rritet me zhvillimin e nismës Ballkani i Hapur, vlerësoi shefi i diplomacisë së Serbisë Nikolla Selakoviq në konferencën e sotme të përbashkët në Shkup me kolegen e tij të Maqedonisë së Veriut dhe nikoqirin Bujar Osmani.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot ishte nikoqir i Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
“Gjatë bisedimeve u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve mike përmes takimeve të shpeshta dhe komunikimit të hapur, ku u theksuan pritshmëritë për realizimin e potencialeve për dinamizimin e bashkëpunimit jo vetëm dypalësh, por edhe rajonal”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Bashkëbiseduesit iu referuan mundësive për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, për rritjen e investimeve, për shkëmbim tregtar më të madh dhe partneritet në tërheqjen e interesit të investimeve të huaja në rajon.
“Kjo është një nga prioritetet kryesore të të gjitha nismave rajonale, pavarësisht se a bëhet fjalë për procesin e Berlinit apo Ballkanin e Hapur. Të krijojmë tregje të përbashkëta të ngjashme me tregun e përbashkët të BE-së, në mënyrë që t’u ofrohet bizneseve potencial për zhvillim të përshpejtuar”, theksoi Osmani.
Në këtë kontekst, ministrat biseduan edhe për përfshirjen në këto procese dhe se suksesi do të jetë shumë më i madh nëse përfshihen edhe vendet e tjera të rajonit, ku u dakorduam se këto nisma nuk janë zëvendësim i projektit evropian, por përkundrazi, përmes tyre rajoni përgatitet për një integrim më të lehtë në tregun e përbashkët evropian dhe në sistemin e rregullave dhe standardeve evropiane.
Bashkëbiseduesit e përshëndetën mbajtjen e takimit të parë të Komisionit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, të mbajtur në fillim të shkurtit 2022 në Beograd, dhe shprehën shpresën se avancimi i të drejtave të pakicave do të kontribuojë më tej në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimin.
Temë e pashmangshme e takimit ishte sulmi rus ndaj Ukrainës.
“Me kolegun Selakoviq u pajtuam se për momentin gjëja më e rëndësishme është ndërpritja e menjëhershme e veprimeve ushtarake, mbrojtja e popullatës së pafajshme, ndalimi i vuajtjeve dhe që t’i jepet shansë diplomacisë”,- theksoi Osmani.
Në konferencën për shtyp nuk u mundësuan pyetje të gazetarëve për ministrin serb, ndërsa në paraqitjen e tij nuk e njoftoi qëndrimin e Serbisë në lidhje me sulmin rus ndaj Ukrainës.
Në kuadër të vizitës u nënshkrua Marrëveshja për themelimin e Qendrës Kulturore-Informative në Shkup dhe Beograd, me bindjen se me këtë do të krijohen kushte për rritjen dhe forcimin e shkëmbimit dhe lidhjes kulturore ndërmjet qytetarëve.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në takimin e sotëm me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Nikolla Selakoviq e ka potencuar dinamikën e fuqizuar të marrëdhënieve bilaterale në nivelin më të lartë ndërmjet të dyja palëve dhe shprehu shpresë se kjo cilësi dhe vazhdimësi e këtij komunikimi dhe bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tutje.
“Ai e nënvizoi rëndësinë e nismës rajonale “Ballkani i hapur” si mundësi për ndërlidhjen dhe bashkëpunimin rajonal të vendeve në Ballkanin Perëndimor, a njëherazi edhe si mesazh ndaj miqve tanë evropianë në Bruksel se vendet e rajonit ngadalë shprehin gatishmëri ndaj pranimit të vlerave dhe integrimeve evropiane, parimeve të bashkëpunimit dhe pajtimit ndërmjet veti”, theksohet në kumtesën e Kabinetit të Xhaferit.
Në atë drejtim të bashkëpunimit rajonal, Xhaferi e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik me Republikën e Serbisë e cila njëherazi paraqet edhe partnerin tonë të tretë tregtar sipas madhësisë.
Kryetari Xhaferi, në vazhdim të bisedës, shprehu shpresë se në periudhën që vjen, do të arrihet zgjidhje përfundimtare në raport me kontestin me Republikën e Bullgarisë dhe aprovimin e kornizës tonë të negocimit me BE-në.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Serbisë, Nikolla Selakoviq, shprehu kënaqësi dhe nder për këtë vizitë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me ç’rast e theksoi bashkëpunimin e deritanishëm intensiv me kolegun e tij, ministrin Osmani, dhe shprehu shpresë se ky komunikim do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim.
“Ai e pohoi faktin se marrëdhëniet e ndërsjella janë në nivel të lartë, a e potencoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar. Theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor është po ashtu në një nivel solid dhe në këtë drejtim, e lavdëroi marrëveshjen e ndërsjellë të nënshkruar për hapjen e qendrave kulturore në të dyja vendet. Ministri Selakoviq shprehu mbështetje për rrugën tonë eurointegruese dhe njëherazi mbështetje për kryesimin tonë të ardhshëm të suksesshëm me OSBE-në në vitin 2023”, theksohet në kumtesë.
Në fund të takimit të dy bashkëpunëtorët u pajtuan se bashkëpunimi politik intensiv edhe në periudhën vijuese do të vazhdojë në çdo fushë.