Brigadat Al-Qassam njoftuan se kanë vrarë disa ushtarë izraelitë dhe kanë shkatërruar 29 automjete ushtarake
Brigadat Al-Qassam, krahu ushtarak i grupit palestinez Hamas, njoftoi mbrëmë vonë se vrau disa ushtarë izraelitë dhe shkatërroi 29 automjete ushtarake izraelite në disa zona në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në Telegram, Brigadat Al-Qassam thanë se luftëtarët e saj mbrëmë vranë dhe plagosën pjesëtarë të forcave sioniste të strehuar brenda një ndërtese në Juhor ad-Dik, një lagje në qytetin e Gazës, pasi i shënjestruan me dy predha TBG anti-fortifikuese dhe u përleshën me to me automatikë.
“29 automjete sioniste u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht në të gjitha zonat e inkursionit në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, në një deklaratë tjetër, Brigadat Al-Qassam deklaruan se kishin shënjestruar me raketa automjetet izraelite në pjesën jugore të Gazës.
Grupi njoftoi gjithashtu se shënjestroi me raketë bazën ushtarake Tzeelim në shkretëtirën Negev.
Më herët gjatë ditës së djeshme, Brigadat Al-Qassam thanë se vranë gjashtë ushtarë izraelitë në lagjen Juhor ad-Dik në juglindje të qytetit të Gazës.
Që kur Izraeli filloi bombardimet në Gaza më 7 tetor, janë vrarë të paktën 13 mijë palestinezë, përfshirë mbi 9 mijë gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur më shumë se 30 mijë të tjerë.
Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.
Bllokada izraelite ka ndërprerë Gazën edhe nga furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë, si dhe ka reduktuar dërgesat e ndihmave në një rrjedhë të vogël.
Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.