Borrelli thotë se “ka një lajm të mirë” për dialogun Kosovë-Serbi
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se ka një lajm të mirë sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ditët e fundit kemi pasur lajm të mirë, të dyja palët po lëvizin – ngadalë, por po lëvizin. Dhe duhet t’i shtyjmë të shkojnë kësaj rruge sepse është e vetmja për ta për të pasur perspektivë të qartë evropiane”, theksoi Borrelli në konferencën para nisjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, shefi i diplomacisë së BE-së tha se Unioni ka investuar shumë kohë dhe energji.
“Ka kaluar nëpër ulje-ngritje, shumë kriza, edhe zgjidhje: targat, letërnjoftimet, energjia – marrëveshja e fundit e mirë – përparim me Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e zbatimit”, tha në këtë konferencë shefi i diplomacisë së BE-së.
I pyetur nëse planifikohet së shpejti një takim në nivelin më të lartë Kosovë-Serbi, ai tha se “jemi në një dialog të vazhdueshëm. Dialogu është një proces i vazhdueshëm”.
“Përfaqësuesi Special i [BE-së] [Miroslav Lajçak] po udhëton nga njëra anë në tjetrën. Kur të vijë momenti, do të bëjmë sa më shumë takime të nivelit të lartë që të jetë e nevojshme”, deklaroi Borrelli për gazetarët.
Në konferencën para nisjes së samitit BE-BP, Borrelli tha se po jetojmë në një mjedis të vështirë, sfidues dhe të rrezikshëm dhe kjo, sipas tij, ndikon në Bashkimin Evropian, “dhe kjo ndikon në fqinjësinë tonë dhe kjo ndikon në Ballkanin Perëndimor”.
“Prandaj mendoj se duhet të punojmë në dy drejtime. Së pari, padyshim, zgjerimi i [BE-së] – duhet të përshpejtohet. Në fund, ajo është garancia jonë më e rëndësishme e sigurisë dhe mënyra jonë më e rëndësishme për t’u bërë partnerë. Dhe së dyti, nga pikëpamja e politikës së jashtme, të mbështesim ata që janë më të lidhur me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Po them Politika e Jashtme dhe e Sigurisë sepse sa më shumë të përafrohen me politikën tonë të jashtme, aq më të mëdha janë sfidat e sigurisë me të cilat përballen, si sulmet kibernetike. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të rrisim qëndrueshmërinë e tyre”, u shpreh Borrelli.
Ai tha se një nga rezultatet e këtij Samiti do të jetë njoftimi se do të ofrohen pothuajse 2 milionë euro shtesë për të forcuar qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.