Kosovë

Borrell dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri: Të vërtetohen të gjitha faktet, autorët të përballen me drejtësinë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja dënon ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku mbeti i vrarë një rreshter policor.

Borrell në një deklaratë të lëshuar ka thënë se të gjitha faktet rreth këtij sulmi duhet të vërtetohen, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm, sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në deklaratë.

Borrell po ashtu bën thirrje që sulmet që po vazhdojnë të ndalen menjëherë.

“Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë.

EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in.

BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës, thuhet në deklaratë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se të shtënat në veri po vazhdojnë edhe pas vrasjes së një rreshteri të Policisë së Kosovës dhe plagosjes së një tjetri.