Bora ka bllokuar një familje me dy fëmijë të vegjël në Mavrovë
Një familje me dy fëmijë të vegjël kanë mbetur të bllokuar në rrugën përballë hotelit Radika, afër fshatit Leunovë. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, ekipet e shpëtimit janë përgjigjur menjëherë pas raportimit të ngjarjes por për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe lartësisë së madhe të mbulesës së borës, e cila ka arritur rreth 80 centimetra, gjendja e rrugës ka qenë e vështirë. Sipas informacioneve familja është e sigurt dhe ndodhet përballë Hotel Radika teksa pret të hapet rruga që të largohen nga vendi.
“Në numrin 112 në ora 13:05 është marrë njoftim se për të tretën herë kanë telefonuar zyrtarë nga Reparti Territorial kundër Zjarreve të Gostivarit të cilët janë bllokuar me veturën e tyre zyrtare në mes të Hotel Radikës dhe Bunecit. Sipas tyre, janë edhe rreth 20 vetura tjera që kanë ngecur që nga mëngjesi aty. Ata kërkojnë nga “Rrugët e Maqedonisë” që të ndërhyjë me mekanizëm për pastrimin e rrugës, si dhe kërkojnë nga policia të ndalojë veturat sepse kolona vetëm sa është duke u shtuar. Nga Qendra rajonale për Menaxhim me Kriza-Tetovë, raportojnë se pas ankesave kanë marrë informatën se në vendin e ngjarjes ka mbërritur vetura nga “Rruga e Maqedonisë”, por për shkak të kapacitetit nuk është në gjendje t’i largojë veturat e bllokuara”, thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.