July 3, 2024
BallinaMaqedoni

Bisedimet për Qeverinë, drejt fundit, dakordësi edhe për zgjedhjet kadrovike

Bisedimet për formimin e Qeverisë së re, drejt finalizimit. Grupet e punës midis VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së janë para marrëveshjes përfundimtare, sa i takon zgjedhjeve kadrovike të eshalonit të parë, ministrave dhe të dytë, zëvendës ministrave në ekzekutiv. Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, nuk ka bërë të ditur emrat, para se të njëjtat të kalojnë filtrat e organeve partiake. Miratimi për emrat e dakorduar do të arrihet gjatë fundjavës. Jozyrtarisht janë përfolur emrat:  Izet Mexhiti, i cili do të jetë zëvendëskryeministër i parë; zëvendëskryeministër për integrime evropiane, Admirim Aliti; Bujare Abazi supozohet të jetë e angazhuar për qeverisjen e politikave të mirëqenies; Arben Taravari mund të qëndrojë në krye të Shëndetësisë, ndërkaq Besar Durmishi në krye të Ekonomisë.
Nga VMRO-DPMNE-ja ende nuk bëjnë publike emrat e ministrave dhe zëvendësve të tyre. Është prononcuar edhe Maksim Dimitrievski nga koalicioni “E di”. Ai konfirmon takimin e realizuar me Mickoskin dhe se janë një hap para hyrjes në Qeveri. Sipas Dimitriveskit, me rëndësi është zbatimi i programeve se sa nga numri i resorëve që do të udhëheqin. Javën që vjen, deri më 7 maj, presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, do të ndajë mandatit për formimin e Qeverisë së re kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si fitues i zgjedhjeve të majit. Siljanovska pret që në formimin e Qeverisë, vendimtare të jenë programet që të kemi reforma. Ndërkohë funksionimi i Qeverisë teknike ka nisur shpërbërjen. Nga Ministria e brendshme është tërhequr ministri teknik, Pançe Toshkovski, ndërkohë që deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, këtë dikaster do ta udhëheqë zëvendësministri i deritanishëm, Nazim Bushi.