Shqipëri

Bisedimet për paqe në Kuvend/ Çuçi e Bardhi në zyrën e Nikollës. Spiropali: Komisione Hetimore sipas ligjit

Pas lajmit të një dite më parë për nisjen e negociatave mes PS dhe Rithemelimit për të rikthyer në normalitet Kuvendin, Top Channel zbulon detaje të reja për bisedimet.

Spiropali: Jemi shumë afër që të gjejmë një zgjidhje.

Por, si arritën palët të uleshin pa zhurmën e bilbilave dhe tymit te flakadanëve? Me nxitje të Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla kryetari i grupit socialist Bledi Cuci dhe kolegu i tij demokrat Gazment Bardhi janë ulur për të gjetur dakortësi që i jep fund kaosit në Parlament.
Top Channel ka mësuar se në takimin e zhvilluar javën e shkuar në zyrën e kryeparlamentares kanë qenë prezent edhe përfaqësues të dy grupeve të tjera kuvendore Dashamir Sheshi i Aleancës për Ndryshim dhe Mesila Doda e grupit Demokraci dhe Integrim.

Top Channel ka zbuluar gjithashtu se socialistët janë të gatshëm të lëvizin nga qëndrimi i tyre për hetimin parlamentar dhe mund të pranojnë ngritjen e dy komisioneve hetimore me objekt të ndryshuar dhe të dakordësuar mes paleve sipas frymës së ligjit të ri të miratuar së fundmi.

Dakordësi po kërkohet edhe për reformën elektorale, por zgjidhja e ofruar nga Gazment Bardhi nuk e sheh si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn. Ky i fundit nuk ka qëndruar indiferent ndaj lajmit për një marrëveshje të mundshme mes PS dhe Gazment Bardhit edhe për reformën zgjedhore.

Alibeaj akuzoi sot Partinë Socialiste për pazar me grupin e Berishës dhe kërkoi të dijë publikisht nëse palët kanë vendosur të zhvendosin reformën zgjedhore në Komisionin e Ligjeve ku opozita humb të drejtën e vetos.

Pas këtyre akuzave reagoi sot ministrja Elisa Spiropali, e cila ka hedhur poshtë aludimet e Enkelejd Alibeaj se ka një plan për të vrarë politikisht Lulzim Bashën.

“Po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera”.

Ajo ka dhënë sërish një mesazh për opozitën se socialistët nuk kane qene asnjëherë kundër ngritjes së Komisioneve hetimore që janë brenda kornizës kushtetuese, ndërsa për Reformën Zgjedhore kujton qëndrimin e Kryeministrit Rama, se Komision Bipartizan ku çdo parti kërkon reformë sipas oreksit askush të mos gënjejë veten se bëhet dot.

“Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur. Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot”.