Maqedoni

Bilall Kasami paralajmëroi se deri në fund të javës do të dorrëzojë padi kundër Teuta Arifit për shtegun e biçikletave (VIDEO)

Bilall Kasami sot njoftoi se deri në fund të javës do të dorëzojnë padi në prokurori kundër ish kryetares së Komunës, Teuta Arifit për projektin e shtegut të biçikletave përgjatë bulevardit të “Ilindenit”.

Kasami informoi se e ka marrë raportin nga revizori për këtë projekt. Ky vendim sipas kryetarit të Komunës vjen pasi i njëjti ka proces gjyqësor, gjegjësisht padi kundër Arifit, për shkak se pretendohet të jetë realizuar në kundërshtim me ligjin, shkruan Portalb.mk.

Kasami para disa javëve duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk njoftoi se janë në pritje të raportit të revizorit për të dorëzuar padi në Prokurori për projektin e shtegut të biçikletave. Ndërkaq i pyetur përsëri sot nga Portalbi, ai tha se deri në fund të javës do të paraqesin padinë në Prokurori.

“Po. Raporti i revizorit është marrë, avokati të cilin e kemi angazhuar është në përpilim të padisë dhe deri në fund të javës sipas informatave që i kam padia do jetë e dorëzuar në prokurorinë publike”, tha Kasami.

Rikujtojmë që Kasami javë më parë njoftoi se janë në përpilim e sipër për çdo keqpërdorim që e konstatojnë ta përcjellin me procedura adekuate para organeve të hetuesisë, ndër të cilat është edhe projekti i shtegut të biçikletave.

“Një ndër ato të cilat kemi informata ka të bëjë me shtegun e biçikletave, unë jam në pritje të raportit të revizorit të brendshëm për atë projekt dhe është gati, duhet të miratohet dhe i njëjti ti bashkëngjitet lëndës dhe lënda të dorëzohet në prokurori”, tha Bilall Kasami.

Shtegu i biçikletave u hoq me 17 nëntor. I njëjti nxiti edhe reagime të shumta në opinion se nuk ishte dashur të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit.

Sot shtegu i biçikletave përsëri është shndërruar në parking në disa pjesë të qytetit. Megjithatë nga terreni shihet që shtegu i biçikletave mund të jetë funksional, pasi nga intesnsifikimi i kontrolleve të policisë përgjatë bulevardit të Ilindenit dhe kjo njëkohësisht nënkupton lëvizje e lirë në shtegun e biçikletave.

Një nga arsyet për këtë vendim sipas kryetarit Kasami është se shtegu i biçikletave ka proces gjyqësor, gjegjësisht padi kundër kryetares së kaluar Teuta Arifit, pasi i njëjti është realizuar në kundërshtim me ligjin. Kasami tha se ky projekt si shumë projekte të tjera të udhëheqsisë paraprake është realizuar në kundërshtim me ligjin.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, dy herë këtë vit, dërgoi paralajmërime adekuate me shkrim, për rregullimin e shtegut të ri për biçikleta në Tetovë.

Nga Gjykata Themelore e Tetovës thanë se pas inspektimeve të Departamentit për Kundërvajtje dhe sistemit AKMIS të Gjykatës Themelore të Tetovës, te Gjykata Themelore në Tetovë është dorëzuar kërkesë për inicimin e procedurës për kundërvajtje e regjistruar kundër të pandehurit Komuna e Tetovës – si person juridik dhe Teuta Arifit – si person përgjegjës në personin juridik, për kundërvajtje të dënueshme nga neni 348 paragrafi 1 pika 8 dhe pika 9 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, të pandehurit janë thirrur më parë nga kjo gjykatë dhe procedura është ne vazhdim.

Ndryshe, kur filloi ndërtimi i shtigjeve të biçikletave para rreth shtatë muajsh, pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhet fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i njëjti është i gjerë 1 metër kurse ka kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro. Çmimi i realizimit të këtij projekti nga aktivistët dhe qytetarët u konsiderua shumë i lartë. Madje në rrjetet sociale qarkulluan fotografi të ndryshme, me anë të së cilave u ironizua me shtigjet e biçikletave në Tetovë dhe mënyrën se si janë realizuar ata. Fotografitë u publikuan edhe në disa media të Shqipërisë dhe në disa faqe ndërkombëtare.