Maqedoni

Bideni emëron ambasadorin e ri amerikan në Kosovë

Bideni nominon Hovenierin pasues të Kosnettit

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nominuar Jeffrey M. Hovenier, për ambasador në Republikën e Kosovës, si pasues të Philip Kosnettit.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë të premten, është bërë e ditur se Hovenier, që aktualisht është zëvendësshef i Misionit të SHBA-së në Turqi, do të pasojë Kosnettin i cili qe nominuar nga ish-presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018 për të qenë ambasador në Kosovë. Sikur Hovenieri, edhe Kosnetti kishte ushtruar rolin e zëvendësambasadorit në Turqi para ardhjes në Kosovë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Hovenier ka qenë ushtrues detyre i zëvendësambasadorit edhe në Berlin të Gjermanisë.

Ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

Dikur kishte qenë edhe pjesë e stafit të të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Flet gjuhën gjermane, greke, kroate dhe spanjolle.

Kosnetti ka shfrytëzuar Twitterin për ta uruar Hovenierin për nominimin që të jetë ambasador i ardhshëm i SHBA-së në Kosovë.

Në shumicën e rasteve, zyrtarët e shërbimit të jashtëm amerikan ushtrojnë funksionin e ambasadorit në vende të caktuara në periudhë për tri vjet.

Hovenier në vitin 2018 ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Diplomati amerikan Jeffrey Hovenier, pati thënë në momentin e marrjes së Medaljes se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Unë dhe familja ime ndihemi shumë të nderuar. Ndryshimet pozitive në Kosovë janë mbresëlënëse. Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, qe shprehur ai atë kohë.