Rajon - Botë

Biden: Spitalet në Gaza duhet të mbrohen

“Shpresa dhe pritja ime është që të ketë më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalet dhe ne do të mbetemi në kontakt me izraelitët”, tha Biden në Zyrën Ovale, duke shtuar se mbetet “disi shpresëdhënës, por spitalet duhet të mbrohen”

Presidenti amerikan, Joe Bide, ka deklaruar se spitali kryesor al-Shifa i Rripit të Gazës “duhet të mbrohet” dhe se ai shpreson për “më pak veprime ndërhyrëse” nga Izraeli derisa pushtimi i tij tokësor i afrohet objektit, raporton Anadolu.

“Epo, siç e dimë, nuk kam hezituar të shpreh shqetësimet e mia për atë që po ndodhë. Shpresa dhe pritja ime është që të ketë më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalet dhe ne do të mbetemi në kontakt me izraelitët”, tha Biden në Zyrën Ovale, duke shtuar se mbetet “disi shpresëdhënës, por spitalet duhet të mbrohen”.

Që nga java e kaluar, afërsia e spitali u shënjestrua nga sulmet të rënda ajrore izraelite, përfshirë disa sulme ajrore brenda vetë kompleksit al-Shifa.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se Washingtoni dëshiron “t’i shohë pacientët të mbrojtur”.

“Ne duam t’i shohim spitalet e mbrojtura. Ne kemi folur me qeverinë izraelite për këtë dhe ata kanë thënë se ndajnë atë pikëpamje se nuk duan të shohin zjarre në spitale”, u tha Sullivan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Spitalet duhet të mbrohen. Spitalet duhet të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë efektive në mënyrë që të mund t’u jepet kujdes mjekësor pacientëve. Dhe së fundmi, në masën që njerëzit duhet të evakuohen nga një spital në një spital tjetër për të siguruar vazhdimin e kujdesit, rrugët e evakuimit duhet të jenë të sigurta dhe qeveria izraelite na ka thënë se sot ka dhe do të vazhdojë të ketë rrugë evakuimi për njerëzit që largohen nga komplekset spitalore”, shtoi ai.

Derisa sulmi izraelit në Rripin e Gazës hyri në ditën e 38-të, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze, të paktën 11.180 palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 7.700 fëmijë dhe gra, si dhe mbi 28.200 të tjerë janë plagosur.

Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar.

Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është gati 1.400.