Rajon - Botë

Biden mbron sulmin e Izraelit ndaj spitalit në Gaza, pretendon se Hamasi e përdor atë si seli

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden është përpjekur të mbrojë sulmin e Izraelit në spitalin Al-Shifa në Gaza, duke pretenduar se grupi palestinez Hamas përdor spitalin si seli të tyre, transmeton Anadolu.

“Ju keni një gjendje ku krimi i parë i luftës po kryhet nga Hamasi duke e mbajtur selinë e tyre, ushtrinë e tyre, të fshehur nën një spital. Dhe ky është një fakt, kjo është ajo që ndodhur”, tha Biden gjatë një konference për media në San Francisco pas takimit me presidentin kinez, Xi Jinping.

Duke mbrojtur veprimet e Izraelit, i cili deri më tani nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë se spitali më i madh i Gazës ishte një seli e Hamasit, presidenti amerikan tha se Izraeli nuk hyri me një numër të madh trupash dhe nuk kreu “bastisje”.

I pyetur se çfarë lloj provash ka SHBA-ja për pretendimet e saj për Hamasin, ai nuk pranoi të hyjë në detaje.

“Ju keni një gjendje ku, ju e dini, ka një numër të madh të terroristëve të Hamasit. Hamasi tashmë ka thënë publikisht se ata planifikojnë të sulmojnë Izraelin përsëri, si më parë, duke prerë kokat e foshnjave dhe duke djegur të gjallë gra dhe fëmijë”, tha Biden, duke përsëritur një gënjeshtër për një mizori me foshnjat nga e cila edhe Shtëpia e Bardhë është distancuar.

Biden shtoi se ai ka “pak shpresë” se negociatat për lirimin e rreth 240 pengjeve që mbahen nga Hamasi do të japin rezultate.

“Në lidhje me atë se kur do të ndalet ky (operacion izraelit në Gaza)… Mendoj se do të ndalet kur Hamasi të mos ketë më aftësitë për të vrarë dhe keqpërdorur dhe thjesht për të bërë gjëra të tmerrshme ndaj izraelitëve”, tha ai.