Lajmet e reja

Bexheti i ASH-së po qëndron në Uashington: Opozita do ta bëj ndryshimin e madh për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Intervista me Flakron Bexhetin, zëdhënësin e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Flakron Bexheti, zëdhënësi i partisë më të madhe opozitare, Aleanca Shqiptare (ASH) në Maqedoninë e Veriut, është pjesë e një programi të Asociacionit Amerikan për lider të rinj ACYLP në Uashington. Gazeta “Illyria” ka zhvilluar një intervistë me z.Bexheti ku në fokus janë zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, por edhe çështja të tjera të rëndësishme për shqiptarët në këtë vend.

Intervistoi Beqir Sina (Gazeta Illyria)
Zoti Bexheti ju ndodheni në Uashington, DC për takimin e parë #NMKCapstone. 3 ditë duke marrë pjesë në panele dhe duke diskutuar me alumni amerikanë të ACYPL nga i gjithë vendi.Më konkretisht diçka rreth këtij takimi ?
Bexheti: Ky takim është pjesë e programit të Asociacionit Amerikan për lider të rinj ACYLP , në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, i mbështetur dhe finansuar nga Qeveria Amerikane i quajtur Capstone dhe i organizuar me Alumnistët nga Maqedonia e Veriut bashkë me alumnistët amerikan që kanë vizituar Maqedoninë e Veriut vitet e kaluara, si përmbledhje e programit të shkëmbimit. Në këtë program nga Maqedonia e Veriut marrin pjesë nivele të larta të përfaqësuesve politik të partive më të mëdha në vend të pozitës dhe opozitës, ndërsa nga alumnistët amerikan marrin pjesë personalitete të shquara të nivele të ndryshme si dhe figura politike nga dy forcat kryesore politike, ato denokrate dhe republikane.
Këto 4 ditë patëm diskutime shumë të suksesshme ku u takuam dhe shkëmbyem biseda me përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Shtetit me një përmbledhje të marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut. Ne shkëmbyem përvoja me shumë njerëz me ndikim nga bota politike si Drejtori Rajonal i IRI për Evropën, Paul McCarthy, Brock D. Bierman dhe shumë të tjerë. Gjatë një pjese të qëndrimit tonë ne vizituam varrezat e famshme kombëtare Arlington dhe George Washington Mount Vernon dhe patëm një darkë të përbashkët me Ambasadoren Amerikane në Maqedoni, Shkëlqesinë e Saj Kate Burns.
Qëllimi i këtij takimi është të afirmojë dhe të eksplorojë tema universale për udhëheqësit përkatës politik, duke përfshirë qeverisjen demokratike që shënon sistemin elektoral dhe gjyqësor dhe aktive pjesmarrjren aktive në poltikë. Programi gjithashtu promovon marrëdhënie të qëndrueshme profesionale dhe miqësi mes udhëheqësve të rinj në Maqedoninë e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim trajtohen tema me interes për Maqedoninë e Veriut si ajo e marrëdhënive dypalëshe SHBA-Maqedoni e Veriut, avancimi i drejtësisë sociale përmes zhvillimit të komunitetit dhe fuqizimit ekonomik, toleranca dhe antidiskriminimi, transparenca dhe mbikëqyrja e qeverisë,etj.

Në Maqedonin e Veriut muajin e kaluar u shënua 20 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, si dokument që i dha fund konfliktit të vitit 2001. Kur e ktheni kokën prapa, si e shihni atë periudhë?
Bexheti: Padyshim që Marrëveshja e Ohrit ka hasur në vështërsi gjatë impletentimit të sajë në praktikë, përgjatë periudhës së kaluar. Elementi kryesor i Marrëveshjes së Ohrit ishte Ligji i Gjuhës Shqipe, që u soll në vitin 2017, pra flasim për një ngecje dhe dinamike të ngadalshme të implementimit në praktike. Decentralizimi i pushtetit lokal edhe sot e kësaj dite ka defektet e saja dhe mungon decentralizimi fiskal. Mungesa e përfaqësimit të barabartë, në nivele të larta është poashtu një shqetësim real, ku kemi institucione shtetërore ku numri i shqiptarëvë si ne aspektin vertikal dhe horizontal vazhdon të ngelet nën përqindjen e caktuar etj.

20 vjet pas Marreveshjes së Ohrit, a mendoni se duhet bërë ende, sepse partia në pushtet thotë se thuajse e ka përmbyll?
Bexheti: Partia shqiptare në pushtet BDI, bën gabim kur thotë se Marrëveshja e Ohrit është përmbyll sepse ka përgjegjësinë më të madhe si subjekt politik për mos realizimin në kohë të kësaj marrëveshje, madje zyrtar të BDI këtë e kanë deklaruar edhe para vitit 2017 kur nuk ishte sjell ligji i gjuhësh shqipe. Ne vlerësojmë se kjo marrëveshje avansoi pozitën politike dhe juridike të shqiptarëve, por si marrëveshje nuk e solli barazinë e plotë mes dy etniteteve më të medha në vend, që është qëllim i çdo subjekti politik shqiptar. Si subjekt politik të drejtat politike, ekonomike dhe Juridike të shqiptarëve i shohim përtej Marrëveshjes së Ohrit, sepse vlerësojme se në Maqedoninë e Veriut duhet nje shtet me mundësi të barabarta, dhe nga shoqëria multietnike, duhet shteti dhe institucionet të reflektojnë këtë realitet multietnik.

Çfarë u bë me regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut ?
Bexheti: Regjistrimi i Popullatës mendoj se po ec mirë dhe qytetarët po regjistrohen. Deri në këtë moment janë regjistruar mbi 1 milion banor, dhe afro dyqindmijë nga diaspora. Kur jemi tek regjistrimi vlen të përmendët se ky regjistrim duhej të ndodhte shumë herët sepse është kriter i BE qe i njejti të ndodh çdo 10 vite, ndërsa tani po bëhen gati 20 vite. Shpresojmë për një numër real të qytetarëve. Për shqiptarët ky regjistrim ka një rëndësi të veçante sepse te drejtat politike, kushtetuese ndërlidhen edhe numrin apo përqindjen e shqiptarëve. Vlen të theksohet dhe të përshëndetet mobilizimi i diaspores shqiptare të Maqedonisë së Veriut në Evropë dhe SHBA që ju përgjiigjën masovikisht thirrjes për tu regjistruar. Gjithashtu edhe liderëve politik dhe partive shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Kryeministrave shqiptarë Edi Rama, Albin Kurtit si dhe shumë personaliteve të njohura të artit, muzikës sportit etj të cilët u bënë pjesë e kësaj fushate për rregjistrimin.

Më 17 Tetor, Maqedonia e Veriut ka zgjedhjet lokale . Cilat janë pritjet nga zgjedhjet lokale të 17 tetorit?
Bexheti: Pritjet tona janë të mëdha si asnjëherë më parë. Jemi të bindur se Aleanca për Shqiptarët bashkë me partnerin e koalicionit Alternativa do të fitojë shumicën absolute të Komunave shqiptare, jo vetëm pse duam ne por qytetarët janë në kërkim të shpresës së tyre për ndryshim për një jetë më të mirë në qytetet ku jetojnë bashkë me shërbimet e tyre komunale të munguara. Menaxhimi dhe udhëheqja e tre Kryetarëve të ASH edhe ate të Gostivarit nga Arben Taravari, Bogovinës nga Albon Xhemaili i Komunës së Bogovinës, Isen Shabani i Vrapçishtit, ishin dhe do të ngelen modele shembullore se si udhëhiqen komunat. Projektet e shumta të realizuara , si ne aspektin urban asfalitime rrugësh, kanalizime, ujësjellës e deri tek ndërtimi dhe rinovimi i shkollave këtyre krerëve komunal, parqeve, gjelbrimi etj, janë vetëm disa nga realizimet dhe shërbimet komunale, që qytetarët e komunave tjera mund ti shohin si model suksesi. Andaj presim që më 17 Tetor qytetarët të na besojë duke na dhënë mundësinë të qeverisim në nivel lokal.

A i trembeni fenomenit “manipulim” dhe “vjedhje votash” nga partitë në pushtet, ose ndonjë skenari tjetër ?
Bexheti: Realisht në çdo cikël zgjedhor eksistojnë edhe dilemat se partitë e pushtetit mund ti shfrytëzojnë mundësite që i kanë për të bërë keqpërdorime, vjedhje ose blerje votash sepse kjo ka ndodh në të kaluarën. Nje moment pozitiv për ASH-AAA në këto zgjedhje është se për herë të parë kemi komisioner nëpër qendrat e votimit me çka do të kemi mbikqyrje të drejtpërdrejt mbi procesin e votimit. Gjithashtu për herë të parë aplikohet edhe “finger printi” me ç’rast minimizohet mundësia e mbushjes së kutive apo votimit në grupe siç ka ndodh dikur. Shpresojmë që të gjithë të kontribojmë për një proces zgjedhor fer dhe të drejtë, duke ju mundësuar qytetarëve në mënyrë të lirë të shprehin vullnetin e tyre.

Cilat janë arsyet që arritët një koalicionin me VMRO, e cila njihet për qëndrime nacionaliste, apo kemi “zbutje” të saj?
Bexheti: Zgjedhjet lokale për dallim nga ato parlamentare kanë karakterin lokal, dhe jo vetëm politik. Është e vertetë se ne kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut VMRO-DPMNE të Hristijan Mickovskit, duke e bërë publike ate në sy të opinionin në Kuvendin e RMV, ku Lideri i ASH z. Ziadin Sela, ai i Alternativës z.Afrim Gashi dhe i VMRO DPMNE nënshkruajtën një marrëveshje, duke u zotuar për të sjellë ndryshim në komunat që udhëhiqen nga kryetar komunash të BDI dhe LSDM, sepse vlerësojmë se ata nuk kanë menaxhuar mirë, disa nga ata janë korruptuar, kane abuzuar me paranë publike, nuk i mbajtur premtimet e tyre, thjesht i mbajnë peng komunat bashkë me shërbimet konunale. Ideja e bashkëpunimit me VMRO u imponua edhe nga marrëveshja e Koalicionit mes LSDM dhe BDI, që edhe ne të bëjme koalicion me VMRO-DPMNE dhe ky moment është pritur mirë në opinion, i natyrshëm madje edhe i domosdoshëm për ta sjellë ndryshimin. Nga momenti i Koalicionit me VMRO -DPMNE, nuk ka patur asnje deklaratë nga ajo parti qe mund te ishte nacionaliste, thjeshtë ata e kanë kuptuar besoj se partneriteti i mirëfillte me subjekt politik shqiptar si dhe mbështetja e faktorit ndërkombëtar, verdikti i elektoratit janë të gjitha këto që i ndihmojnë një partie të vije në pushtet dhe të bartë edhe përgjegjësitë.

A mendoni se do të fitoni qëndrat kryesore shqiptare?
Bexheti: Padyshim që po, do fitojmë shumicën e komunave, përfshirë qendrat kryesore si Tetova, Gostivari, Struga, Çairi si dhe qendrat më të vogla urbane dhe ato te komunave rurale, Bogovinën, Vrapcishtin, Bervenicën, Tearcën, Haraçinën etj. Mendoj se këto zgjedhje do të ndodh befasia me e madhe elektorale.

Cilat do jenë kushtet e Aleancës për Shqiptarët në rast se pas zgjedhjeve ka sinjale për formimin e një Qeverie të re?
Bexheti: Njëherë jemi te fokusuar në zgjedhjet komunale. Ndërsa më pas rezulltati i zgjedhjeve do imponojë situatë tjetër. Nëqoftëse koalicioni Aleanca për Shqiptarët bashkë me Alternativën dhe me VMRO-DPME fitojnë shumicën e Komunave dhe këshilltarëve atëhëherë do të kërkojmë legjitimitet të ri politik të nivelit qëndor, ose shumicë të re parlamentare ose zgjedhje te parakohshme parlamentare.

Si keni menduar të bindni elektoratin gri të votojë Ju?
Bexheti: Elektorati gri, si kudo tjeter edhe te ne vendos se kush do te fitojë. Elektorati gri nuk bën pjesë tek elektorati klientelist qe zakonisht e kanë krijuar partitë e pushtetit. Elektorati gri eshte i interesuar për ndryshim, sepse atyre shumë mirë u vjen kur i shohin autobusët e stëmbushur me te rinjê që shkojnë në perendim. Elektorati gri është dëshmitar i keqmenaxhimit, ajërit të ndotur, deponive te egra, rrugëve me bërllog por pa kanalizime, shkollave pa nxënës, banesave pa parqe te gjelbërta për fëmijë. Besoj se elektorati gri do na japë shansin ne dhe mundësinë, sepse deri tani kemi dhënë prova të mjaftueshme për të na besuar!

Çfarë u garantoni dhe u premtoni në këto zgjedhje votuesve ?
Bexheti: Ju premtojmë parasegjithash ndershmëri nëqoftësi marrim mandatin nga popullit dhe qytetarët për të qeverisur me komunat. Ju premtojmë se Komunat do tju kthehen qytetarëve bashkë me shërbimet konunale, dhe jo sic ka qene deri tani ku kokuna ka qene ne sherbim te kryetarit dhe te administratës komunale. Ju premtojmë një ndryshim për një jetë më mirë, per tju kthyer shpresën qe të ardhmen ta shohin ne vendin e tyre bashkë me familjet e tyre.

Ku mendoni se jeni me të « fort » dhe ku mendoni se ju duhet më shumë për të punuar?
Bexheti: Të “fortë” do të jemi kur shqiptarët dhe qytetarët do na besojnë verdiktin per ti udhëhequr si në komuna ashtu edhe në nivel qëndror, por atë forcë popullorë duhet ta vësh në shërbim te votuesve e jo të vetes për tu korruptuar dhe abuzuar siç ka ndodhur më parë. Na duhet të punojmë edhe më shumë , për çdo dite për ti bindur qytetarët se ne meritojmë mundësinë për të qeverisur, sepse ne kemi ditur dhe guxuar të sillemi me përgjegjshmëri në situata të vështira politike. Ne kemi qenë konstruktiv në kuvend duke përkrahur ligje që kanë qenë në shërbim të qytetarëve për jetën e tyrë më të mirë, per eurointegrimet. Por kemi ditur edhe të bllokojme kuvendin ta kushtëzojmë atë me kërkesat tona politike sic ishte rasti i shtetësisë dhe ne ja dolem sepse jemi ndryshe të vendosur dhe të përkushtuar.