October 15, 2024
Maqedoni

Berlin, Mucunski takoi homologen gjermane

Ministrja e Jashtme gjermane Analena Berbok u shpreh e prerë se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është hapi i fundit që duhet të ndërmarr vendi në mënyrë që t’i çelë negociatat me BE-në. Berbok pas takimit me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Timço Mucunski në Berlin theksoi se personalisht është e angazhuar për shfuqizimin e vendimmarrjes me konsensus në kuadër të Unionit, por tani për tani për zgjerimin e BE-së vota është unanime.

“Këto janë kushtet tani për tani. Kemi vendim unanim. Kjo ndoshta ndjehet si padrejtësi për shkak se ne nuk mendojmë njësoj si të tjerët por këto janë rregullat për të cilat jemi pajtuar dhe unë personalisht angazhohem që këto rregulla t’i respektojmë..Futja e pakicës bullgare në Kushtetutën tuaj është hapi i fundit që mungon për hapjen e kllasterit të parë të negociatave me BE-në”, deklaroi Annalena Baerbock – Ministre e Jashtme e Gjermanisë.

Ministri Mucunski theksoi se shteti ka plan për zhbllokimin e procesin të integrimit. Por megjithatë siç shtoi, nevojitet kompromis me Bullgarinë.

“Duam që shtetin ta çojmë përpara. Kemi plan, ka përkushtim nga Qeveria, përkushtim që do të garantoj se Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i realizojë obligimet e saj në pjesën e implementimit e standardeve më të larta të Bashkimit Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën për kompromis që ta lëvizim shtetin përpara. Por, gjithashtu themi se jemi një shtet i cili më tepër se tridhjetë vite vazhdimisht po bënë kompromise dhe vazhdimisht përballet me paqartësi në rrugën evropiane”, tha Timço Mucunski – Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Takimi Mucunski – Berbok vjen një ditë pas samitit të procesit të Berlinit i cili mbahet në kryeqytetin e Gjermanisë, e ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan në disa marrëveshje të cilat duhet të përmirësojnë bashkëpunimin në pjesën e ekonomisë dhe arsimit. /Alsat.mk