Shqipëri

Berisha thirrje liderëve evropian: Kujdes xhepat, kur t’i jepni dorën Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi të gjithë qytetarët t’i bashkohen nesër protestës së thirrur nga opozita, e cila do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ditë që përkon me Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do zhvillohet në kryeqytetin tonë.

Në një konferencë për mediet, Berisha tha se Samiti është mbështetje e madhe për demokratët shqiptarë.

Protesta në të njëjtën ditë me Samitin do i japë mundësinë opozitës që t’i dëshmojë Europës se Shqipëria është nën pushtetin e një kryeministri që e “ka marrë karrigen mbi dhunimin e votës shqiptare dhe mbi drogën e trafiqet”.

Berisha tha se opozita do t’i tregojë Europës se shqiptarët janë në betejë me armikun më të egër të votës shqiptare, Edi Rama. Ndër të tjera kreu i PD-së, e cilësoi kryeministrin hajdut, ndërsa këshilloi liderët europianë të tregojnë kujdes kur ti japin dorën Ramës, sepse “ai është hajdut”, tha Berisha.

“Unë e di, që ata që mblidhen nesër, sigurisht nuk mund të garantojnë votën tonë të lirë, por të paktën ta dinë se njeriu që kanë përballë, e ka karrigen e kalbur mbi votat e vjedhura të shqiptarëve. Unë e di se ata që mblidhen nesër, nuk mund të na shpëtojnë nga vjedhjet e fondeve publike dhe pasurive publike, por të paktën duhet ta dinë që kur t’i japin dorën atij, të kontrollojnë xhepat.

Ai është në fakt kryehajduti i shqiptarëve, i të gjitha kohërave. Unë e di që askush nuk do të vijë të na çlirojë ne nga narkoshteti, ne dhe vetëm ne do çlirohemi prej tij, por jetike është t’u dëshmojmë se njeriu që qëndron në tavolinë në emër të shqiptarëve, është një Noriegë me atlete të kuqe Adidas. Do të ishte e pafalshme nëse nuk do të ishim të gjithë në protestën më të madhe, më madhështore që Shqipëria ka njohur në historinë e saj”, tha Berisha. /Abcnews.al/