Shqipëri

Berisha: Nuk ka asnjë hetim ndaj Ramës për ndryshimin e destinacionit të tokës te klubi Partizani. Nuk e njoh Bahri Hodon

Gjatë intervistës së dhënë në ‘Çim Peka LIVE’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se, nuk ka asnjë hetim në lidhje me vendimin e marrë nga Edi Rama për ndryshimin e destinacionit të klubit Partizani.

Sipas Berishës, hetimi nga SPAK nuk është bërë për këtë vendim, sepse do të duhej të pyetej Edi Rama.

Ndërsa në lidhje me një udhëtim drejt Vienës ku ndodhej edhe Bahri Hodo, anëtar i komisionit të kthimit apo kompensimit të pronave, Berisha u shpreh se nuk e ka takuar dhe nuk e njeh këtë person.

‘Nuk ka asnjë hetim për vendimin e nëntorit 2006, për ndryshimin e destinacionit nuk ka asnjë hetim, sepse hetimi kërkon të pyetet Edi Rama. Po të pyetet ai, duhet të merret i pandehur, jo se ka bërë ndryshimin, por se e ka bërë pa asnjë kërkesë nga asnjë palë, përveç, siç thuhet Olsi Ramës dhe dy personave të tjerë, që i kishin vendosur syrin dhe do të një parajsë më pallatet që do të ndërtonin aty.

Ndryshimi i destinacionit nuk ka qenë kurrë propozim i Sali Berishës, nuk ka qenë kurrë ndërhyrje e Sali Berishës, kanë qenë interesa strikt të Edi Ramës që të ndryshohej destinacioni pa pyetur pronarët dhe institucione të tjera që kishin në varësi këto prona.

Unë kryeministër udhëtoj me avion për qëllime pune për në Vien dhe në avion gjendet një njeri që nuk e kam takuar kurrë në jetën time, anëtar i komisionit të kthimit apo kompensimit të pronave të gjithë të emëruar nga PS, përfshirë dhe zotërinë, të cilët i kanë kthyer familjes Begeja rreth 12 mijë metër katror tokë si komision.

Fakti se ai qenka ndodhur në avion me Sali Berishën, është provë se fajin e ka Saliu. A ka më primitivë, njerëz që shesin veten e tyre si këta. Le ta pyesin 100 herë Bahri Hodon, por me dhjetëra e në mos qindra punonjës që janë pyetur, nuk është një i vetëm që të ketë pohuar se ka patur ndërhyrjen, porosinë më të vogël nga Sali Berisha apo Jamarbër Malltezi në procesin e ushtrimit të funksioneve të tij për këtë çështje’, tha krydemokrati Sali Berisha gjatë intervistës në SYRI TV.