Sport

Berisha me Gjermaninë në gjysmëfinale të Evropianit

Sulmuesi kosovar Mërgim Berisha do të luajë në gjysmëfinale të Evropianit të Shpresave (U21). Berisha është pjesë e Gjermanisë që të hënën mbrëma siguroi kualifikimin në gjysmëfinale. Gjermania U21 vetëm pas penalltive e eliminoi Danimarkën në çerekfinalen e luajtur në Hungari.

Pas 90 minutave lojë rezultati ishte 1:1, kurse pas vazhdimeve shifrat ishin 2:2. Me penallti, Gjermania fitoi 6:5. Faghir dhe Krisatiansen dështuan nga pika e bardhë për Danimarkën, ndërsa pesë lojtarë ishin të saktë. Te Gjermania fillimisht dështoi Burkardt, ndërsa më pas realizuan gjashtë lojtarë rresht. Wahid Faghir kaloi në epërsi Danimarkën në minutën e 69-të.

Lukas Nmecha barazoi shifrat në minutën e 88-të për Gjermaninë. Në minutën e 100-të gjermanët kaluan në avantazh me golin e Jonathan Burkardt, por Victor Nelsson barazoi sërish në minutën e 108-të. Dhe sfida u vendos me penallti.

Berisha startoi te Gjermania dhe luajti deri në minutën e 64-t. Në gjysmëfinale, më 3 qershor, Gjermania takohet në Hungari me Holandën. Finalja është më 6 qershor në Lubjanë.