Shqipëri

Berisha i konsideron deklarata e Ramës për veriun e Kosovës si anti-shqiptare: E ka hipnotizuar Vuçiqi

Berisha i konsideron deklarata e Ramës për veriun e Kosovës si anti-shqiptare: E ka hipnotizuar Vuçiqi
Gjatë fjalës së tij sot në Kuvendin e Shqipërisë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha solli në vëmendje qëndrimet e kryeministrit Edi Rama për ngjarjet në veri të Kosovës.
Ai i quajti deklaratat e Ramës si antishqiptare dhe e akuzoi atë si antishqiptar për qëndrimet e ekryeministrit pas ngjarjeve në veri të Kosovës.

“Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë deklarata skandaloze se veriu i Kosovës është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, më të shpifur se kjo deklaratë. Pse e fali jetën Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, që aty të sundojë ligji”, tha Berisha.

“Çfarë mund t’i quash këtij krim-ministër të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij Aleksandar Vuçiq dhe tani kërkojnë ta mbulojnë këtë me deklarata të turpshme”, tha Berisha.
“Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandar Vuçiqi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Se sa ishte ‘no mans land’ e provuan falangat serbe. Shqiptarët, Europa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, se ajo është toka e zotërve të saj. A mundet një krim-ministër të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç?” shtoi Berisha.

“Dhe tani kërkojnë të mbulohet kjo me deklarata të turpshme këtu përpara. Po Dostojevski thotë një fjalë: njeriu që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, largohet nga homo-sapiens, nga specia e tij. Ndaj këtu debati duhet të fillojë me urgjencë për këtë deklaratë që nuk e bën jo vetëm Aleksandër Vuçiçi, por e bën edhe pengu i tij, e bën argati i tij, që quhet Edi Rama. A e dini çfarë tha Alistair Campbell, miku i tij, për këtë deklaratë: e ka hipnotizuar Vuçiqi!”, tha Berisha.