Beogradi kërkon “Zajednicë” në Kosovë, kurse në Serbi nuk lejon as shfaqjen e filmave kosovarë
Gjykata Supreme në Vranjë e ka zhvilluar të enjten një seancë lidhur me dy filmat e aktorit shqiptar dhe producentit të filmave Gani Veseli, premiera e të cilëve është ndaluar në Bujanoc nga Prokuroria e Serbisë.
Bujanoci është komunë në Serbi, ku jetojnë një numër i madh i qytetarëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu sikurse në Preshevë dhe Medvegjë, e që të tri komunat njihen edhe si Lugina e Preshevës.
Premiera e filmave “Heshtja vret” dhe “I pabesi”, ishte planifikuar të mbahej më 10 qershor në Qendrën Kulturore në Bujanoc, mirëpo është shtyrë deri në njoftimin e radhës.
Ndalesa ka ardhur pasi policia e ka pranuar një raport anonim se filmat nxisin urrejtje dhe diskriminim, supozime që i hedh poshtë autori.
Gani Veseli i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Komisioni serb i Kinematografisë e ka dhënë opinionin e vet se filmi “I pabesi” nuk duhet të transmetohet, sepse nxit urrejtje ndëretnike dhe fetare, derisa logoja e Republikës së Kosovës është urdhëruar që të hiqet nga filmi “Heshtja vret”.
Sa i përket filmit të parë, Vesli ka thënë se ai i ka kërkuar gjykatës që të tregojë në mënyrë më të detajuar se si shpërndan urrejtje filmi.
“As gjykata sot nuk ka dashur të marrë vendim, pa qenë e informuar mirë për këtë çështje për filmin, dhe çfarë saktësisht ka ndodhur, ndonëse gjykata e ka parë atë, mirëpo e ka parë pa përkthim dhe është e interesuar në përkthim të filmit në gjuhën serbe, apo në ofrimin e më shumë materialeve”, ka thënë Veseli.
Sa i përket filmit “Heshtja vret”, Veseli ka thënë se është kërkuar që të largohet logoja e Kosovës, dhe që filmi të kategorizohet mbi moshën 16 vjeç.
“Jam pajtuar me kategorizimin +16 në gjykatë, nuk është problem. Mirëpo nuk mund ta heq logon e Kosovës, sepse Kosova është financuese direkte e filmave”, ka thënë ai.
Sipas Veselit, ende nuk është ngritur ndonjë padi, dhe seanca e radhës është caktuar për 4 gusht.
Aktualisht është sugjeruar që të mos shfaqen filmat, sepse mund të përballem me më shumë pasoja”, ka thënë Gani Veseli.
Më 9 qershor, një ditë para datës kur ishte caktuar të mbahej premiera, Zyra e Prokurorit në Vranjë, e ka realizuar një intervistë informative me drejtorin e Qendrës Kulturore në Bujanoc, Jetmir Ismajlin dhe Gani Veselin.
Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, më 12 qershor, Veseli ka thënë se autoritetet kanë insistuar që komisioni shtetëror dhe prokurori t’i shohin filmat, në mënyrë që ta kuptojnë se çfarë është duke ndodhur.
Për çfarë bëjnë fjalë filmat?
Tema e filmit të parë është momenti kur disa të rinj, gjatë grabitjes, vrasin dajën e tyre dhe vrasja zbulohet pas 20 vjetësh. Ndërsa filmi i dytë, sipas Veselit, flet për një personazh të pasionuar pas armëve dhe për mikun e tij të ngushtë, i cili e denoncon në polici.
“Këta filma janë thjesht të realizuar në Maqedoni të Veriut. Këtu marrin pjesë aktorë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut”, ka thënë Veseli.
Filmat janë xhiruar në kuadër të një projekti në vlerë të rreth 40.000 eurove, me mbështetje të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, dhe janë financuar nga Qeveria e Kosovës.
Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 61.000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare.
Prej tyre, numri më i madh i shqiptarëve jetojnë në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, më shumë se 56.000. Më pas është komuna e Medvegjës, ku jetojnë rreth 1.000 shqiptarë. /REL