Maqedoni

Bekteshi në teren, thotë se nuk ka parë rafte të zbrazëta në marketet

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot pas vizitës së tij në një nga qendrat tregtare para gazetarëve deklaroi se nuk ka rafte të zbrazëta, ndërkaq apeloi te qytetarët se nëse vërejnë diçka të tillë, të paraqiten në numrin 191.
“Nuk vërejta se ka rafte të zbrazëta. Nëse në markete të tjera ka të zbrazëta, do të doja t’ju bëj thirrje konsumatorëve t’i paraqesin 191 dhe inspektorët në kuadër të Inspektoratit Shtetëror të Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe Policinë Financiare tashmë janë në terren dhe në pjesën e shpërndarësve të produkteve ushqimore dhe të tregtarëve të derivateve të naftës menjëherë do të veprojnë nëse konstatohet diçka e tillë”, tha Bekteshi.
Ai shtoi se inspektimet kryhen edhe të shtunën edhe të dielën.
“Nesër do të kemi koordinim me të gjitha institucionet që kanë bërë inspektime gjatë fundjavës dhe do të raportojmë për të gjeturat. Informacionet e deritanishme janë se të gjitha raftet në supermarkete tashmë kanë filluar të mbushen, nuk ka kolona në pikat e karburantit. Ndaj edhe një herë apeloj që të mos krijohet panik, në vazhdimësi të gjithë tregtarët, importuesit dhe distributorët të kenë shpërndarje të mjaftueshme në përputhje me konsumin”, shtoi Bekteshi.