Maqedoni

Bekteshi: Javën e ardhshme do të publikohet paketa e re e masave anti-krizë

Ministri i Ekonomisë në RMV Kreshnik Bekteshi, sot njoftoi se paketa e re e masave anti-krizë pritet të publikohet kah mesi ose fundi i javës së ardhshme.
Ai tha se paketa e re e masave anti-krizë është ndarë nga Ministria e Financave me kabinetin e kryeministrit dhe me institucionet tjera të përfshira në krijimin e tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ka gjasa që masat të shpallen dhe të fillojnë të zbatohen nga mesi ose në fund të javës së ardhshme”, theksoi ministri Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Më herët, kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me Bekteshin vizituan një fabrikë në Shkup, kujtoi se Qeveria ka marrë vendim për zgjerimin e listës së produkteve me “çmim të garantuar”, dhe se kjo masë duhet të jetë e vlefshme deri në fund të vitit dhe jo deri në fund të 30 nëntor siç ishte paralajmëruar fillimisht.
Ndryshe, nga 20 shtatori i këtij viti, me vendim të Qeverisë filloi të zbatohet masa e “çmimit të garantuar” për gjithsej 24 kategori të produkteve ushqimore. Çmimet e produkteve, sipas vendimit, duhet të jenë të paktën 10 për qind më të ulëta se çmimet e regjistruara më 1 gusht. Lista e produkteve me “çmim të garantuar” nga 27 shtatori është zgjeruar edhe me pijet: pijet joalkoolike, të gazuara dhe pa gaz, si dhe birrat.