Bekteshi: BDI-ja nesër mund të nxjerrë 10 mijë njerëz në protesta
Së fundmi BDI ka nisur takimet me qytetarët, por thonë se nuk përjashtohen edhe protestat.
“Para së gjithash, nuk përjashtohen edhe protestat. Pse? Sepse BDI ka vendosur të dalë në terren dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve. Qytetarët na dhanë besimin dhe tani sigurisht që qytetarët kërkojnë që ne t’i përfaqësojmë, duke qenë se ky besim është dhënë”, thotë Kreshnik Bekteshi në një intervistë për “360 Gradë”, i pyetur pse nuk po protestojnë por kanë vendosur për t’u takuar me qytetarët.
Mirëpo, Bekteshi shtoi se kanë kapacitete të protestojnë menjëherë, transmeton portali Lideri.mk, por se janë mjaft të kujdesshëm.
“10 mijë persona nesër mund të thirren nga BDI ku të duan, në cilin qytet të duan. Nuk është qëllimi të bëjmë vetëm protesta dhe narrativa të jetë vetëm negative. Epo, ato protesta duhet të kontrollohen më pas dhe ata që i organizojnë kanë përgjegjësi. Duhet të bëjmë një vlerësim të kujdesshëm që të mos dalë jashtë kontrollit dhe kështu duhet të sillen të gjitha institucionet shtetformuese në vendin tonë, përfshirë edhe partitë politike. Nëse shkojmë në protesta duhet të sigurohemi 100% që nuk do të jenë të dhunshme sepse interesi i BDI-së është që të mos ketë protesta të dhunshme. Po, shprehja e një mendimi përmes protestave, është një akt demokratik dhe nuk duhet të bëhet vetëm nga partitë politike. Organizatat mund ta bëjnë, qytetarët mund ta bëjnë në mënyrë të pavarur dhe kjo është e mirë për një shoqëri, e gjithë kjo me qëllim të përmirësimit të qeverisjes”, tha Bekteshi./Lideri