BE-së i është dorëzuar Plani i Veprimit për Bashkësitë
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, thotë se propozimi i Planit të Veprimit për të drejtat e bashkësive në vend është dërguar në Bruksel. Mariçiq që në dhjetor njoftoi se institucionet evropiane i kanë Planin e Veprimit dhe dy udhërrëfyesit. Njëri për sundimin e ligjit dhe tjetri për reformat në administratën publike. Pa to nuk mund të hapet kapitulli i parë i negociatave.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme theksuan se Plani përfundimtar i Veprimit nuk është dorëzuar në BE sepse fillimisht duhet të hidhet në debat publik. Në të përfshihen edhe elemente që lidhen me të drejtat e bullgarëve në vend. Prandaj, MPJ-ja propozon që debati për planin të përkojë me debatin publik për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
“Është dorëzuar një version i Planit të Veprimit, i cili është konstatuar se nuk është përfundimtar, por se është versioni i punës. Në momentin që do të vlerësojmë së bashku në komunikim me Brukselin se duhet të dërgohet versioni përfundimtar, do ta dërgojmë”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër i parë.
Edhe udhërrëfyesit edhe Plani i Veprimit duhet të miratohen dhe të pranohen nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë Bullgarinë. Mariçiq ka bërë të ditur se së shpejti do të udhëtojë në Bruksel për të mësuar se ku është procesi i miratimit ndërsa tani janë në fazën e shqyrtimit.
“Udhërrëfyesit do të rishikohen dhe kur të krijohen kushtet do të miratohen. Ndërkohë kemi marrë disa vërejtje, të cilat i kemi përfshirë në tekstin e udhërrëfyesve”, shtoi Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër i parë.
Zëvendëskryeministri i parë nuk zbuloi komentet për tekstet e propozuara nga Shkupi. Udhërrëfyesit parashikojnë se kur cila reformë do të zbatohej gjatë negociatave të anëtarësimit. Shumica e reformave parashikojnë mbështetje me dy të tretat e shumicës në Parlament. Për shembull, deri në vitin 2026 parashikohen ndryshime në ligjet për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, të cilat u referohen kritereve për përzgjedhjen e anëtarëve në këto organe. Deri në vitin 2026, vendi obligohet ta ndryshojë Ligjin e Prokurorisë Publike për të forcuar rishpërndarjen e lëndëve, por edhe për të miratuar një Kod të ri Penal deri në vitin 2025