BE rikujton: Shkupi mori përsipër ndryshimin e Kushtetutës
Komisioni Evropian urdhëron partitë parlamentare që të bashkëpunojnë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe të përshpejtojnë zbatimin e reformave. Në raport thuhet se procesi po zhvillohet në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit dhe shqyrtimi po ecë sipas planit. Brukseli rikujtoi se Kuvendi dhe Qeveria janë angazhuar që me prioritet të zbatojnë ndryshimet kushtetuese. Në të njëjtën kohë, në Raport theksohet se partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe E majta nuk kanë nominuar përfaqësues në grupin punues që ka hartuar tekstin e ndryshimeve kushtetuese. Në përgjithësi, Brukseli vlerëson se situata politike mbetet e polarizuar.
“Puna e Kuvendit është çrregulluar nga polarizim politik që u thellua më tej, duke zvarritur miratimin e shumë ligjeve reformuese dhe emërime e emërtime të rëndësishme. Negociatat e anëtarësimit në BE kërkojnë konsensus të gjerë midis partive kryesore politike”, theksohet në Raportin e KE-së.
Kritikohet gjithashtu edhe përdorimi i shpeshtë i flamurit evropian, i cili është rritur nga 38% në 58% vitin e kaluar. Në Raport theksohet se nga janari i vitit të kaluar deri më 15 qershor të këtij viti, nga gjithsej 165 ligje, 86 janë miratuar me procedurë të shkurtuar.
“Flamuri i BE-është përdor, ndër të tjera, për të ndryshuar Kodin Penal duke futur dënime më të ulëta për veprat penale të korrupsionit dhe për të ndryshuar ligjet për marrëdhëniet e punës, shpronësimet, planifikimin urbanistik, ndërtimin dhe autostradat që do të ndërtohen (veçanërisht korridori rrugor VIII dhe Xd), përkundër faktit se ndryshimet në përgjithësi nuk kishin të bënin me përafrimin e legjislacionit me ligjet e BE-së”, thuhet në Raportin e KE-së.
Sipas Brukselit, përdorimi i flamurit të BE-së duhet të lidhet qartë me ligjet për të harmonizuar legjislacionin nacional me atë evropian.