Rajon - Botë

BE: Duhet të shmangen veprimet provokuese në Xhaminë Al-Aksa

Bashkimi Evropian lidhur me ngjarjet e shënuara në Kudsin Lindor nën pushtim deklaroi se “Duhet të shmangen veprimet provokuese në Xhaminë Al-Aksa dhe duhet të respektohet ‘status quo’-ja”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, rikujtohet se janë përshkallëzuar në mënyrë të rrezikshme ngjarjet e dhunës dhe tensionet në Bregun Perëndimor, kryesisht në Kudsin Lindor nën pushtim.

“Dhuna dhe provokimi janë të papranueshme. Duhet të kërkohet llogari nga autorët e të gjitha palëve”, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se në ngjarjet e shënuara mbrëmë në Xhaminë Al-Aksa u plagosën shumë persona.

BE-ja u bën thirrje autoriteteve që të kalojnë menjëherë në veprim për uljen e tensioneve në Kuds. “Duhet të shmangen veprimet provokuese në Xhaminë Al-Aksa dhe duhet të respektohet ‘status quo’-ja”, thuhet në deklaratë.

“Shqetësuese është edhe situata lidhur me nxjerrjen e familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në Sheikh Jarrah dhe zonat e tjera të Kudsit Lindor. Veprime të tilla janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe nuk shërbejnë për asgjë tjetër veçse nxitjen e tensioneve në terren”, thuhet në deklaratën ku nga të gjitha palët politike, liderët fetarë dhe udhëheqësit e komuniteteve kërkohet të tregojnë vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi si dhe të tregojnë çdo përpjekje për të qetësuar situatën.

Forcat izraelite mbrëmë pak kohë pas iftarit kryen sulme me plumba plastikë dhe bomba zhurmuese në pika të ndryshme në Kudsin Lindor. Të paktën 205 persona u plagosën në sulmet e policisë izraelite ndaj palestinezëve në Xhaminë Al-Aksa, në Portën e Damaskut në zonën e ish-Qytetit të Vjetër dhe në lagjen Sheikh Jarrah që ndodhen në Kudsin Lindor nën pushtim.