Maqedoni

BDI u gëzua para kohe, në Dibër do të ketë raund të katërt më 28 nëntor?!

Pas numërimit të votave në Dibër, kandidati i BDI-së Hekuran Duka ka fituar 126 vota më tepër, thonë jozyrtarisht burime nga Komisioni Komunal Zgjedhor. Mirëpo nga shtabi i kandidatit të koalicionit ASH-AAA, Bekim Pocesta, paralajmërojnë se do të parashtrojnë ankesa për keqpërdorime të bëra. Ata thonë se janë shënuar shumë parregullsi dhe për këtë arsye presin që rivotim më 28 nëntor të ketë së paku në tre vendvotime.

Edhe Kandidati i Alenacës për Shqiptarët për kryetar të Komunës së Dibrës, Bekim Pocesta në një deklaratë për TV21 ka komentuar procesin e sotëm zgjedhorë në këtë komunë. Pocesta akuzon BDI-në për përfshirje të strukturave të qeverisë në procesin zgjedhorë, ndërkaq thotë se do të bëjnë analizë të procesverbaleve nga vendvotimet.

“Pas dy fitoreve të pastra, edhe në raundin e parë edhe në rivotim, sigurisht që nuk e prisnim këtë zhvillim, duke pasur parasysh vërsuljen e gjithë Qeverisë me gjithë strukturat e veta, na len të dyshojmë se nga arritën ata t’i shtojnë kaq shumë votat e tyre. Ngelet që të bëjmë analizën e të gjitha procesverbalet, ditën e nesërme të dalim me deklaratë oficiale. “, tha Pocesta për TV21.