October 6, 2024
Maqedoni

BDI propozon paga minimale të jetë 450 euro dhe uljen e çmimit të naftës dhe benzinës

Rina Ajdari nga Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me një sërë kritikash për masat qeveritare ekonomike, transmeton TV21.

Nëpërmjet një paraqitje për media, ajo ka përmendur si dështim shkurtimin e projekteve kapitale – si shkurtimin e mjeteve për korridorin e 8, mosrritjen e pagës minimale, kufizimin e marzhës së produkteve, mos rritjen e pensioneve, mos uljen e kontributeve për sektorin privat dhe mos ndarjen e 10 mijë eurove për çdo qytetar.

Rina Ajdari shpalosi edhe disa nga propozimet e BDI-së, për siç thotë, që vendi të dalë nga “kriza e thellë ekonomike”.

“Gjithë këto të dhënat janë parametra të mjaftueshëm që Maqedonia e Veriut është në krizë të thellë ekonomike dhe bruto prodhimi vendor do të jetë më i ulëti në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Demokratik për Integrim iu bën thirrje institucioneve që urgjentisht të ndërmerren masa konkrete për rritjen e pagës minimale – minimum 450 euro dhe në mënyrë lineare për të gjitha pagat tjera në vend. Për subvencionimin e kompanive vendore që të rrisin konkurrentshmërinë e tyre, të mbulohen harxhimet rrugore të të punësuarve që vendin e punës e kanë më shumë se 15 kilometra nga vendi ku jetojnë. Të fillojnë reforma për zvogëlimin e kontributeve për sektorin e biznesit që të mbajnë të punësuarit e tyre duke pasur mundësi t’i rrisin pagat në sektorin privat. Të ndihmojnë kompanitë për të fituar tregje të reja për eksport. Të kthehet metodologjia për rritjen e pensioneve duke u bazuar në rritjen e inflacionit dhe pagës mesatare në vend. Të ulet çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë dhe kompanitë mikro dhe të vogla. Marrë parasysh se më nuk ka krizë energjetike, të intervenohet në pjesën e akcizave dhe taksave që të mos ketë rritje të konsiderueshme të derivateve”, tha Ajdari.