BDI kërkon votë për rrethin e dytë në Tetovë
Kandidatja e BDI-së për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit mori besimin e 11.138 qytetarëve që i mundësuan të vazhdojë garën për rrethin e dytë. Arifi duke i falënderoi qytetarët për votën e dhënë, tha se kjo është edhe një fitore dhe përparësi që i ja kanë dhënë edhe në të kaluarën tetovarët që në raundin e dytë të shkojë si garuesi i parë ashtu siç ka qenë gjithmonë.
“Ju falënderohem të gjithë qytetarëve për besimin mbështetjen dhe faktin që me forcë përbashkëta gjithsesi se do të vazhdojmë akoma më fuqishëm drejtë një fitore për të realizuar projektet tonë të rëndësishme. Për mua si kandidat ka qenë dhe vazhdon të jetë strategjike bashkëpunimi dhe puna kërkimi i mbështetjes nga qytetarët pa dallim edhe partie politike, duke pasur parasysh edhe faktin që kryetari I Komunës është kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallime politike etnike apo kulturore.”,- deklaroi kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës-BDI, Teuta Arifi.
Kandidatja për kryetare, Teuta Arifi, paralajmëron se do të vazhdojë deri në maksimum periudhën kohore deri në raundin e dytë zgjedhorë që të zhvillojë bisedime me qytetarët për të prezantuar programin që ka në plan ta realizojë në katër vitet e ardhshme.
“Normalisht që është çështje e partive politike dhe e partisë politike që të zhvilloj bisedime të asaj natyre. Mirëpo në këtë moment jam shumë e bindur që programi me të cilin kam dal në zgjedhje dhe i cili fitoi shumicën në raundin e parë është një program që meriton të përkrahet nga të gjithë pa marr parasysh bindjeve të tyre politike, pa marrë parasysh përkatësisë etnike dhe pa marrë parasysh përkatësisë kulturore.”,- u shpreh kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës-BDI, Teuta Arifi.
BDI në këto zgjedhje lokale ka marrë 125,856 vota, në rrethin e parë ka fituar tre komunë, edhe atë Komunë e Likovës, Sarajit dhe komunë e Plasnicës, ndërsa në shtatë komuna do të garojë në raundin e dytë, që do të mbahen me 31 tetor.