Maqedoni

BDI kërkon tërheqjen e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën

Almakos më poshtë ua sjell reagimin e BDI-së:

Bashkimi Demokratik për Integrim po ndjek nga afër situatën në dhe rreth Ukrainës dhe dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina dhe vënien e tyre nën qeverisjen ruse.
Me këtë shkelet Marrëveshja e Minskut, minohen bisedimet e formatit të Normandisë dhe rrezikohen përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës.
Ne mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.E vetmja gjë që do ta konsiderojmë si sukses është ç’tensionimi i situatës, që mund të arrihet vetëm me tërheqjen e forcave ushtarake të Federatës Ruse rreth Ukrainës.

Duam të potencojmë se këto pikëpamje politike përfaqësojnë pjesë të kursit të përgjithshëm të vendit dhe interesave strategjike si anëtare e Aleancës Veri-Atlantike.
Prandaj, dënojmë të gjitha thirrjet e grupeve politike në vend, partnerëve të tyre të koalicionit dhe bashkëpunëtorëve strategjik, si dhe individëve që i përfaqësojnë ato, me të cilat aprovohet sjellja agresive dhe armiqësore e Rusisë dhe inkurajohen veprimet e saj.

Kjo jo vetëm që nuk është e përshtatshme për orientimin tonë euroatlantik, por e konsiderojmë si pjesë të një veprimi hibrid të faktorëve të jashtëm për të minuar angazhimin tonë, duke krijuar përçarje në strukturën politike.